Maqedonia dhe Serbia do t’i zgjidhin mospajtimet përmes dialogut.
Ky është epilogu kryesor nga bisedës telefonike që zhvilluan kryeministri i Maqedonisë Zoran Zaev dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq.
E vërteta për tërheqjen e personelit diplomatik nga ambasada serbe në Shkup mbetet sekrete edhe pas bisedës telefonike midis kryeministrit Zaev dhe presidentit serb Vuçiq. Në komunikatën e përbashkët të dy drejtuesve të lartë shtetëror, pas telefonatës së djeshme, thuhet se ata do të angazhohen për forcimin e raporteve mes dy vendeve.
“Pa marrë parasysh qëndrimet e ndryshme politike në raport me çështje të rëndësishme politike dhe rajonale, Maqedonia dhe Serbia bashkërisht do të luftojmë për avancimin e relacioneve miqësore të popullit maqedonas dhe atij serb, si dhe të qytetarëve të Maqedonisë dhe Serbisë”, thuhet në komunikatë.
“Maqedonisë dhe Serbia do ta intensifikojnë komunikimin reciprok në nivelin më të lartë, do ta mbështesin njëra-tjetrën në rrugën evropiane dhe do t’i forcojnë marrëdhëniet e fqinjësisë së mirë, që do të kontribuojë në stabilitetin e rajonit.”
Maqedonia dhe Serbia do të bëjnë përpjekje edhe më të mëdha për thellimin e mëtejmë të bashkëpunimit ekonomik dhe rritjen e shkëmbimit tregtar mes dy vendeve. Maqedonia dhe Serbia, në përputhje me të drejtën publike ndërkombëtare dhe në bazë të vullnetit të mirë do t’i mbrojnë interesat dhe të drejtat e përfaqësive diplomatike dhe konsullore të territoreve të tyre, thuhet në komunikatën e përbashkët. Gjatë ditës bisedë telefonike kanë realizuar edhe ministrat e jashtëm të dy vendeve Dimitrov dhe Daçiq.
Brukseli kërkon maturi
Komisioni Evropian vlerëson se tërheqja e diplomatëve nga Shkupi, tre ditë më parë, është çështje dypalëshe midis Serbisë e Maqedonisë dhe pret që e njëjta të zgjidhet në mënyrë përmbajtjesore, paqësore dhe në frymën e fqinjësisë së mirë.
“KE i bën thirrje autoriteteve të Shkupit dhe Beogradit që të tregojnë përmbajtje dhe në rrugë paqësore t’i zgjidhin çështjet lidhur me tërheqjen e personelit të Ambasadës së Serbisë nga Shkupi”, ka thënë zëdhënësja e Komisionit Evropian Maja Kocijançiq.
Kosova nuk është shkas i tensionimit
Zëvendëskryeministri për çështje të integrimit evropian në Qeverinë e Maqedonisë Bujar Osmani thotë se ende është herët të flitet për shkaqet e përkeqësimit të raporteve midis Maqedonisë dhe Serbisë ndërsa përsëriti përcaktimin e Qeverisë së Maqedonisë për raporte të mira më të gjitha shtetet fqinje. “Raporti më fqinjët është një ndër sfidat dhe pengesat më të rëndësishme që ne i kemi në rrugën e integrimit. Ne nuk guxojmë të lejojnë që në këtë moment historik të hapim tema të reja me fqinjët, pasi ne po tentojmë që t’i mbyllim të gjitha temat me fqinjët”.
Osmani ka përjashtuar mundësinë që çështja e Kosovës apo votimi pro i Maqedonisë për anëtarsimin e Kosovës në UNESCO të jetë shkas për tensionet me Beogradin. “Nuk mund të jetë Kosova arsyeje për prishjen e raporteve. Qëndrimi i Maqedonisë në raport me Kosovën është i qartë në këtë drejtim dhe për ne është me rëndësi që t’i mbyllim të gjitha temat e hapura që i kemi me fqinjët tanë”, vlerëson Osmani.
Ish-ambasador i Maqedonisë në Moskë Risto Nikovski thotë se Kosova nuk mund të jetë shkas për prishjen e raporteve me Serbinë. Procesi i anëtarësimit të Kosovës në UNESCO mund të shërbejë vetëm si alibi për Serbinë për të “luftuar” për forcimin e pozicionit të saj në rajon.
“Anëtarësimi i Kosovës në UNESCO është vetëm shkëndijë e vogël që mund të ketë çuar Serbinë në marrjen e një vendimi të tillë, por joedhe thelbi i problemit. Këtu kemi të bëjmë me qëllime të tjera të Serbisë, për forcimin e rolit të saj në rajon. Konsideroj se na pret një proces jo pak i vështirë në raport me Serbinë. Ajo ka kërcënuar se do të ndryshojë vendimin për njohjen e emrit kushtetues të Maqedonisë”, ka thënë Nikovski./DW
Marotta: Jemi skuadra e vetme në Milano me dy yje në fanellë
Vullneti: Xheneta rrezikon të eliminohet këtë javë
Shpërthim në Prishtinë, lëndohen dy persona
Federata e Bodybuildingut zgjedhë më të mirët e vitit 2024
“Je xheloz ti?”, Sara dhe Driloni ngacmojnë njëri-tjetrin
Netanyahu në gjykatë për të dëshmuar mbi akuzat për korrupsi...