Vazhdimi i seancës së Komisionit për mbikëqyrje të punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Zbulimit pret epilogun e incidentit të javës së kaluar, ku në Youtube kanalin e Kuvendit u lëshua audio transmetimi i drejtpërdrejt i seancës. Kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në brifing me gazetarët, tha se seanca mbetet e pezulluar deri sa të vërtetohet se çfarë saktësisht ka ndodhur, përkatësisht pritet raporti i hetimit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, i cili duhet të tregojë se si ka ardhur deri te ky lëshim. Për arsyet dhe rrethanat e incidentit, Xhaferi tha se momentalisht nuk përjashtohet asgjë
“Nuk përjashtojmë asgjë. Duhet ta dimë se si ka ndodhur kjo. A është rastësisht, a bëhet fjalë për gabim njerëzor, a ka përgjuar dikush. Atë do ta tregojë raporti i MPB-së. Kjo ishte jashtë domenit të Kuvendit. Ne nuk kemi kapacitet të bëjmë mbikëqyrje profesionale në lidhje me teknikën”, deklaroi Talat Xhaferi.
Në lidhje me instalimin e hapësirës që do të jetë e mbrojtur nga çdo lloj ndërhyrje e jashtme dhe nga përgjimet, Xhaferi tha se është planifikuar të adaptohet një hapësirë në brendinë e ndërtesës së Kuvendit, e cila nuk ka kontakt me muret e jashtme. Megjithatë, për këtë ka dështuar edhe tenderi i pestë, për shkak të mangësive në specifikat teknike dhe për këtë nuk është zgjedhur asnjë ofertues.
“Vlerësimi është bërë, por përfundimi është se ka mangësi në ofertat. Mungojnë disa gjëra në specifikat teknike. Dhjetë ditë është afati për ankesa dhe sapo të përfundojë menjëherë do të publikohet thirrje e re publike”, tha Talat Xhaferi.
Kujtojmë se, seanca e Komisionit për mbikëqyrje të punës së Agjencisë për Siguri Kombëtare dhe Agjencisë së Zbulimit më 18 nëntor, në të cilën drejtori i ASK-së, Viktor Dimovski referonte për rastin e dhënies së nënshtetësisë për ukrainasin kontrovers, Oleksandër Onishçenko, u ndërpre për shkak të shkeljes së sigurisë. Bëhet fjalë për seancë e cila ishte e mbyllur për opinionin, për shkak të informatave të klasifikuara.
“Ujku i Çeliktë” – Kurti: Më shumë investim në ushtri,...
Gjenden të vdekur tre fëmijë në Francë, policia në kërkim të...
I gatshëm të largohet nga Arabia: Neymarit i ofrohet një meg...
SHBA ndalon linjat ajrore të fluturojnë në Haiti pasi dy avi...
Të paktën 15 të vdekur nga përplasja e të burgosurve në burg...
Elon Musk kritika gjykatësve italianë për çështjen emigrantë...