Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë së Veriut Talat Xhaferi, ka shprehur urime për 8 Shtatorin – Ditën e pavarësisë.
Ai thotë se duhet të vazhdohet për sfidat e radhës, që është integrimi në BE.
“Dua që në emrin tim personal dhe në emër të deputetëve në Kuvendin e Republikës së Maqedonisë së Veriut, sot kur e shënojmë 8 Shtatorin, ditën më të rëndësishme në rritjen dhe zhvillimin e shtetit tonë – Ditën e Pavarësisë, përmes këtij urimi, t’ju drejtohem Ju, të jem me Ju dhe më të afërmit Tuaj, që sinqerisht dhe përzemërsisht t’ju uroj ditëlindjen e Republikës. Bashkë, rritemi, ballafaqohemi për çdo ditë me sfida të ndryshme, situata, kriza të natyrave të ndryshme, dhe gjithë këtë e bëjmë bashkë, si familje sepse kjo është mënyra më e mirë, kështu jemi më të fuqishëm dhe kështu jemi të pamposhtur. Asnjë sfidë nuk është aq e madhe për fuqinë dhe pathyeshmërinë e e bashkimit, bile edhe pandemia e KOVID – 19 e cila e ka kapluar tërë rruzullin Tokësor dhe i vë në test sistemet shëndetësore dhe ekonomike të shteteve”.
“Do e tejkalojmë edhe këtë, bashkë, me respektim të plotë të protokolleve shëndetësore dhe të tjera, edhe pse kjo do të thotë ndryshim i tërësishëm i mënyrës së vendosur të jetës, ku përqafimi i ngrohtë është ilaçi më i mirë për çdo vështirësi. Do të vazhdojmë të dërgojmë mendime të mira, pozitive të cilat do të përhapin energji e cila bashkon dhe jep fuqi. Edhe pse zilja e shkollës këtë vit do të bjerë më vonë dhe ndryshe, të gjithë nxënësve dhe studentëve u uroj vit të suksesshëm mësimor dhe dëshira për dituri le të jetë udhërrëfyesi i vetëm nëpër jetë”.
“Republika, ndër vite, ka përjetuar dhe mbijetuar një sërë krizash, bile edhe konflikt, mirëpo, gjithmonë e ka ditur rrugën e vet dhe drejtimin dhe qëllimin që e ka pasur si udhërrëfyes në atë rrugë. Provë se është në rrugën e vërtetë është edhe suksesi i madh i këtij viti, anëtarësimi i plotfuqishëm i Republikës së Maqedonisë së Veriut në NATO, aleancën e fuqishme ushtarake-politike, dhe ky është sukses për ne, për mbrojtjen dhe sigurinë e shtetit. Vazhdojmë më tutje, kah qëllimi i radhës, anëtarësimi i plotfuqishëm në Bashkimin Evropian. Që kjo ëndërr të bëhet realitet, doemos duhet të mbajmë dinamikën e njëjtë, pasionin dhe përkushtimin e njëjtë dhe gjithsesi, besimin se do të arrijmë sukses. A sukses do të kemi nëse ndërtojmë institucione funksionale të cilat në çdo çast, në çdo kënd të atdheut tonë të shkëlqyer, do të punojnë dhe kontribuojnë në mënyrë të barabartë, sinqerisht dhe në mënyrë transparente, do i trajtojnë qytetarët tanë dhe të drejtat e tyre në mënyrë të drejtë. Për arsye se ashtu duhet atdheu, kur edhe atdheu të do ty, sinqerisht dhe pa rezerva. Atëherë, ti ia kthen me kujdes, me besnikëri dhe dashuri dhe do që fëmijët, nipërit dhe stërnipërit e tu të vazhdojnë të duan, të ruajnë dhe ndërtojnë vendin ku kanë lindur prindërit, paraardhësit e tyre dhe këtu ti hapin krahët dhe të arrijnë majat më të larta”, ka shkruar Xhaferi në urim.
Gjesti i lë një trëndafil Xhenetës pranë kokës
Liverpooli e bën prioritet transferimin e yllit të Brightoni...
Luginasit ankohen për gjoba në kufirin e Kosovës, kryetari i...
Policia kërkon bashkëpunimin e qytetarëve për identifikimin ...
Zarf i bardhë: Banorët fitojnë 100% të buxhetit gjatë sfidës...
ARC organizoi trajnim dy ditor për zyrtarët e gjendjes civil...