Google ADS

Xhaferi: Gjuha Shqipe, brenda janarit pritet të votohet

09:27 | 20 Dhjetor 2017
Arbresh.info

Shtatë muaj pas krizës më të madhe politike në Maqedoni dhe sulmit mbi Parlament, në Top Story vjen kryeparlamentari i Maqedonisë, shqiptari Talat Xhaferi.

Zgjedhja e kryeparlamentarit të parë në Maqedoni me orgjinë shqiptare kaloi jo pa probleme, e sigurisht ato që kanë mbetur në mendjen e të gjithëve është mësymja e protestuesve në ambientet e Parlamentit, 27 prillin e këtij viti

“Hetimet do tregojnë se çfarë ndodhi atë ditë. Jeta e të gjithë deputetëve shqiptarë ishte në rrezik. Hyrja e qytetarëve mund të rrezikonte sigurinë në të gjithë Maqedoninë”, thekson Talat Xhaferi, duke vënë në dukje se ai incident mund të provokonte një luftë etnike.

Lidhur me përplasjet e fundit në Kuvendin shqiptar, jo pak të ngjashme me ato Shkupit të 27 prillit të këtij viti, Talat Xhaferi vuri në dukje se shqiptarët në Maqedoni, por edhe ata që jetojnë në shtete të tjera nuk i mirëpresin dhe nuk i duan këto situata.

“Reagimi i shqiptarëve në Maqedoni për këtë rast, është se ata nuk pranojnë një mënyrë të këtillë veprimi. Pritshmëritë e tyre është që institucionet të jenë funksionalë”, shprehet Talat Xhaferi.

Më tej Xhaferi është ndalur tek hapësira që po i lihet partisë opozitare në Maqedoni, VMRO-DPNE-së, për të krijuar institucionet e saj të reja të brendshme.

“Pres 23 dhjetorin për të mësuar se kush do të jetë kreu i ri i VMRO-DPNE-së. Puna më e mirë që kemi bërë është pritja e zgjedhjeve të brendshme të kësaj partie, për çështjet e rëndësishme”, u shpreh ai.

LSDM-ja në zgjedhjet e fundit kandidoi shumë shqiptarë, madje në forcën e kësaj partie ka edhe një nënkryetar shqiptar, duke ngritur një pikëpyetje nëse kjo është një rrjedhë normale, apo një dështim i partive shqiptare. Për Talat Xhaferi do të duhet që të priten zgjedhjet e ardhshme për të përcaktuar si cili është shkaku i vërtetë.

Sa i përket premtimeve të Zaevit, Xhaferi tha se ligji për gjuhën shqipe pritet të jetë testi i parë.

“Ligji për Gjuhën Shqipe pritet të jetë testi i parë për premtimet e Zaevit. Mund të jetë edhe deri në fund të këtij viti, por brenda janarit pritet të miratohet ligji për gjuhën shqipe”, u shpreh Talat Xhaferi.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme