Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet shtetërore të Serbisë po e hartojnë “një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”.
Ai nuk specifikoi se cilit shtet po i referohej.
“Do të kryhet deri në Vitin e Ri dhe më pas do ta dërgojmë në mbarë botën që të shihet se si bëhet një ndërhyrje e tillë në procese që i përkasin një vendi të pavarur sovran”, tha Vuçiq të enjten.
Vuçiq tha, po ashtu, se zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor “ishin më të pastrat dhe më të drejtat deri më tani”.
Fundjavën e kaluar Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, provinciale dhe lokale.
Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave.
Një ekip vëzhgues ndërkombëtar i përbërë nga anëtarë të Misionit të OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, vuri në dukje “parregullsi serioze” gjatë zgjedhjeve në Serbi.
Më 18 dhjetor, ata deklaruan se ato zgjedhje u shënuan, ndër të tjera, nga keqpërdorimi i fondeve publike, dominimi mediatik i presidentit Aleksandar Vuçiq, një fushatë negative dhe përhapja e frikës.
Pas këtyre vlerësimeve kanë reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim Oliver Varhelyi. Më 19 dhjetor, ata i bënë thirrje Serbisë që të “përmirësojë ndjeshëm” procesin zgjedhor.
Më 19 dhjetor, Serbisë i bënë thirrje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i hetuar pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.
SNS-ja në disa raste ka hedhur poshtë akuzat për ndryshim të vullnetit zgjedhor dhe parregullsi./rel
Xheneta plas bombën në shtëpi, flet për njohjen që la në gjy...
Salah lë të kuptohet për largim nga Liverpool
Ursula von der Leyen diagnostikohet me ‘pneumoni të rëndë’, ...
Plagoset me armë zjarri një person në Arbëri të Prishtinës
Malazezët protestojnë para Qeverisë duke kërkuar përgjegjësi...
Limaj: Kosova ka nevojë për vepra të reja