Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, tha të enjten se autoritetet shtetërore të Serbisë po e hartojnë “një letër të rëndësishme për ndikimin dhe ndërhyrjen e një vendi të rëndësishëm në procesin zgjedhor të Serbisë në mënyrën më brutale”.
Ai nuk specifikoi se cilit shtet po i referohej.
“Do të kryhet deri në Vitin e Ri dhe më pas do ta dërgojmë në mbarë botën që të shihet se si bëhet një ndërhyrje e tillë në procese që i përkasin një vendi të pavarur sovran”, tha Vuçiq të enjten.
Vuçiq tha, po ashtu, se zgjedhjet e mbajtura më 17 dhjetor “ishin më të pastrat dhe më të drejtat deri më tani”.
Fundjavën e kaluar Serbia mbajti zgjedhje parlamentare, provinciale dhe lokale.
Koalicioni më i madh opozitar “Serbia kundër dhunës” nuk i njeh rezultatet e zgjedhjeve dhe kërkon mbajtjen e zgjedhjeve të reja, duke pretenduar se fitorja e Partisë Progresive Serbe (SNS) është rezultat i vjedhjes së votave.
Një ekip vëzhgues ndërkombëtar i përbërë nga anëtarë të Misionit të OSBE-së për Institucione Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Parlamentit Evropian, Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës dhe Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, vuri në dukje “parregullsi serioze” gjatë zgjedhjeve në Serbi.
Më 18 dhjetor, ata deklaruan se ato zgjedhje u shënuan, ndër të tjera, nga keqpërdorimi i fondeve publike, dominimi mediatik i presidentit Aleksandar Vuçiq, një fushatë negative dhe përhapja e frikës.
Pas këtyre vlerësimeve kanë reaguar edhe Përfaqësuesi i Lartë i BE-së Josep Borrell dhe komisionari për Zgjerim Oliver Varhelyi. Më 19 dhjetor, ata i bënë thirrje Serbisë që të “përmirësojë ndjeshëm” procesin zgjedhor.
Më 19 dhjetor, Serbisë i bënë thirrje edhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës për t’i hetuar pretendimet e vëzhguesve ndërkombëtarë për parregullsi zgjedhore.
SNS-ja në disa raste ka hedhur poshtë akuzat për ndryshim të vullnetit zgjedhor dhe parregullsi./rel
I gjithë Ferizaj në terr, Aliu: Kjo është e pashembullt
Izraeli dhe Hamasi akuzojnë njëri-tjetrin për dështimin e nj...
Roshi flet për tërhiqjen nga kombëtarja: Nuk u ftova një vit...
Të shtëna me armë zjarri në Durrës
Lista Serbe pasi PZAP ia aprovoi ankesën: Mbetet të shihet n...
PDK-ja formon shtabin qendror zgjedhor