Vuçiqi paralajmëron bisedime me Macronin dhe Scholzin për Kosovën

16:52 | 28 Maj 2023
E.H

Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq ka paralajmëruar se do të ketë bisedime me liderë evropianë, presidentin e Francës, Emmanuel Macron dhe kancelarin gjerman, Olaf Scholz, për Kosovën.

Këtë e ka bërë të ditur Vuçiq përmes një videomesazhi në rrjetin social Instagram, duke shtuar se java e ardhshme do të jetë e vështirë për ta, përcjell Arbresh.info.

”Prandaj ftoj edhe një herë të bisedojmë me të gjithë përgjegjësit në shoqërinë tonë, të cilët përmes dialogut mund të ofrojnë një shans, stabilitet në përparimin e mëtejshëm të vendit tonë. Në të njëjtën kohë, java e ardhshme është e vështirë për të gjithë ne. Kemi shumë obligime ndërkombëtare, bisedime me të gjithë liderët evropianë nga Bratislava, Kishinau, bisedimet me Macron, Scholz, deri te lufta për popullin tonë në Kosovë. Në fund dua të falënderoj të gjithë njerëzit për mbështetjen e madhe, për faktin që e kuptojnë se sa shumë luftojmë për Serbinë tonë”, ka thënë Vuçiq.

Tutje ai tha se Serbia nuk do të bie nën presionin ndërkombëtar dhe dorëzimi nuk është menduar asnjëherë.

”Dhe për ata që kanë frikë, që pyesin nëse do të dorëzohemi dhe do të biem nën presion, përgjigja ime është – S’ ka dorëzim, dhe asnjëherë dorëzimi nuk ka ardhë në konsideratë”, u shpreh ai.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme