Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq ka thënë se ka zhvilluar “një bisedë të hapur” me senatorët amerikanë Chris Murphy dhe Gary Peters në Beograd më 25 maj.
Vuçiq tha gjithashtu se ka theksuar se prioritet i Serbisë është formimi i Asociacionit të Komunave me shumicë serbe në Kosovë dhe se do të angazhohet për zbatimin e vendimit për formimin e tij “siç është paraparë në Marrëveshjen e Brukselit”.
Ai, përmes një postimi në Instagram, ka shkruar se para senatorëve ka ripërsëritur “vendosmërinë e Serbisë për të vazhduar zhvillimin e marrëdhënieve me SHBA-të në bazë të respektit dhe mirëkuptimit të ndërsjellë”, si dhe se në takim janë diskutuar edhe për çështje të tjera me interes për të dy vendet.
Kryeministrja serbe Ana Brnabiq ka anuluar takimin me senatorët amerikanë që ishte planifikuar për mëngjesin e 25 majit, njoftoi Qeveria e Serbisë.
Ministri serb i Mbrojtjes, Millosh Vuçeviq, u takua me senatorët më 24 maj në Beograd. Siç është raportuar, ata kanë biseduar për dialogun me Kosovën, politikën e jashtme dhe forcimin e partneritetit mes dy vendeve.
Senatorët amerikanë po vizitojnë Ballkanin Perëndimor dhe deri më tani kanë vizituar Prishtinën dhe Podgoricën.
Në Prishtinë ata janë takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmanin dhe kryeministrin Albin Kurti. Pas takimeve me ta, senatorët kanë thënë se Serbia duhet t’i japë fund bllokadës në përpjekjet e anëtarësimit të Kosovës në organizatat ndërkombëtare, si dhe kanë nënvizuar rëndësinë e formimit të Asociacionit.
Kosova dhe Serbia kanë arritur dy marrëveshje për Asociacionin më 2013 dhe 2015.
Por, Marrëveshja mbi parimet për themelimin e Asociacionit, sipas Gjykatës Kushtetuese të Kosovës nuk është në harmoni të plotë me aktin më të lartë juridik të shtetit.
Megjithatë, Kushtetuesja ka thënë se ajo mund të harmonizohet me akte ligjore.
Serbia kërkon themelimin e Asociacionit, por Qeveria në Prishtinë ka shprehur frikën se një asociacion njëetik mund të prekë funksionalitetin e shtetit./REL
Arrestohet një grua në Prishtinë, nën ndikim të alkoolit sul...
Ministri i Jashtëm i Jordanisë do të zhvillojë bisedime me l...
Policia shqiptoi mbi 1 mijë e 400 gjoba trafiku në 24 orët e...
Vdes një person në QKUK
Policia sekuestron armë dhe municion në Rahovec, arrestohet ...
Predha godet një shtëpi në Mitrovicë Veriore, policia heton ...