Njoftimet se çështja e identitetit, gjuha dhe ndryshimi i Kushtetutës, janë pikat kyçe të bisedimeve për zgjidhjen e kontestit të emrit me Greqinë, kanë nxitur reagime të ndryshme në mesin e njohësve të çështjeve ndërkombëtare në Shkup, të cilët theksojnë se përfshirja në bisedime e këtyre temave të ndjeshme mund të ndërlikojnë, apo edhe të pamundësojnë gjetjen e një zgjidhjeje mes dy vendeve.
“Në të kaluarën as që është biseduar për çështjen e identiteti dhe gjuhës, pasi ato kryesisht ishin përqendruar në ndryshimin e emrit. Nuk di se pse tani hapen edhe këto çështje të cilat në të kaluarën as që ishin në rend dite. Por, veç kësaj, ne nuk dimë edhe aspekte tjera që kanë të bëjnë me emrin. Ende e kemi të paqartë se emri i ri do të përkthehet në anglisht, apo do të përdoret ai në gjuhën maqedonase edhe për përdorim ndërkombëtar. Situatë e njëjtë është e me gjuhën, se si mund të quhet gjuha ndryshe nga maqedonishtja, ajo që përdoret me vite e vite”, thotë për REL, Vlladimir Bozhinovski nga Instituti për Hulumtime Politike.
Nga njohësit e raporteve maqedono-greke, Lupço Ristevski, thotë se ajo çfarë po bënë Athina është e papranueshme dhe paraqet ndërhyrje në punët e brendshme të shtetit, kur bëhet fjalë për identitetin, gjuhën, kulturën, pra për çështjet më të shenjta për një komb.
“Republika e Greqisë nuk ka të drejtë të ketë pozicione dominuese dhe të kërkoj zgjidhje ‘Erga Omnes’, pra të kërkojë ndryshimin e Kushtetutës. Kjo është e pakuptimtë dhe paraqet përzierje flagrante në punët e brendshme të Maqedonisë. Këtu mendoj se duhet të jenë vijat e kuqe të Maqedonisë. Sikur edhe të dëshirojë pushteti ndryshimin e Kushtetutës, këtë nuk do të mund ta bëjë për shkak të nevojës së pasjes së dy të tretave të votave në Kuvend, të cilat nuk i ka dhe nuk besoj se do t’i ketë ndonjë nga partitë politike. Kuptohet se zgjidhje duhet të ketë, por ajo duhet të përshijë vetëm se çështjen e emrit, por jo edhe aspekt tjera si identitetin, gjuhën dhe të tjera”, thotë Ristevski.
Reagimet vijnë pasi një ditë më parë kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev tha se bisedimet dypalëshe tani janë në fazën kyçe, ku përfshihet edhe gjuha, por edhe ndryshimi ose jo i Kushtetutës. Zaev megjithatë u shpreh optimist se zgjidhje mund të ketë, nëse dy palët tregohen të kujdesshme për pikat e ndjeshme.
“Dinjiteti është shumë me rëndësi sikur edhe identiteti, me këtë edhe tregojmë gjithçka. Por, ne duhet t’i japin shans procesit negociues. Gjithsesi se pozicionet kyçe kanë të bëjnë me emrin, gjuhën dhe ndryshimin ose jo të Kushtetutës. Unë besoj se të dyja palët do të jenë pragmatike dhe institucionet do të gjejnë zgjidhjen më të mirë të mundshme, e cila gjithsesi do të vërtetohet nga qytetarët në referendum”, ka deklaruar Zaev.
Ministri i Punëve të Jashtme i Greqisë, Nikos Kotzias në një intervistë për televizionin shtetëror grek ERT, kishte deklaruar se problemi me Maqedoninë përfshinë shtatë pika: emrin, përdorimin e tij, identitetin, gjuhën, përdorimin tregtar, akronimet dhe shenjat.
Sa i përket emrit, Qeveria e Maqedonisë tashmë është deklaruar se pranon një zgjidhje që do të përfshinte një emër me përcaktim gjeografik, por për çështjet tjera ajo është treguar e rezervuar të japë sqarime. Megjithatë, deri më tani ajo ka kundërshtuar çdo mundësi për ndryshime tjera, ashtu siç kanë kundërshtuar edhe faktorët tjerë politikë në vend./REL
Asociacioni “Klubet Sportive Prishtina” emëron bordin dhe kr...
Shkup/ Ligji për Gjuhët pritet të shqyrtohet në mars të viti...
Fitimi, Gresa dhe Laurenti ngjallin të qeshura teksa flasin ...
Hamza premton Fond Shtetëror të Bursave: 25 milionë euro çdo...
Arb Manaj, futbollisti më i mirë i muajit dhjetor tek Drita
Prokurorja thotë se është vërtetuar që në veprimet e Çedomir...