“Kam vëzhguar shumë zgjedhje, por ato të mbajtura në Serbi ishin larg çdo standardi evropian”, tha deputeti socialist dhe demokrat Andreas Shider, i cili ishte edhe anëtar i misionit të Parlamentit Evropian që vëzhgoi zgjedhjet në Serbi.
Ai mendon se do të ishte e nevojshme të bëhet një hetim ndërkombëtar, ose së paku të përsëriten zgjedhjet në Beograd, por në kushte të reja, transmeton Arbresh.info.
Shider në një intervistë për N1 tha se dita e zgjedhjeve në Serbi ishte shumë specifike dhe se vëzhguesit e huaj tashmë ishin të informuar nga misioni parazgjedhor se kushtet nuk ishin të barabarta, se presidenti Aleksandar Vuçiq dhe Partia e tij Progresive Serbe ishin të përfaqësuar në mënyrë disproporcionale në mediat shtetërore, ndërkohë që opozita kishte akses të kufizuar, si dhe se njerëzit silleshin në zgjedhje nga jashtë.
“Ne pamë sërish fletëvotime fantazmë, dëgjuam se në Beograd u sollën 50 mijë njerëz, pamë fotografi në rrjetet sociale, njerëzit fotografuan fletët e votimit, kishim dëshmi për blerje votash”, tha eurodeputeti.
Prandaj, përfaqësuesit e Parlamentit Evropian, siç tha ai, kërkojnë nga autoritetet serbe sqarimin e ngjarjeve të zgjedhjeve, e ndoshta edhe hetimin e pavarur.
Shider shprehu besimin e tij se të paktën në zgjedhjet në Beograd, rezultati do të ishte ndryshe nëse zgjedhjet do të ishin organizuar më mirë dhe do të kishte pasur më pak mashtrime.
“Së pari, më lejoni të jem i qartë, kjo nuk është në përputhje me standardet evropiane, kjo është larg çdo standardi. Kam vëzhguar shumë zgjedhje, këto janë larg standardeve me të cilat jemi mësuar. Ata që kanë pushtetin dhe kontrollin mbi këto zgjedhje po bëjnë një punë të keqe dhe nuk po punojnë në interes të vendit të tyre”, tha Shider.
Ai po ashtu ka rikujtuar se Komisioni Evropian, Këshilli Evropian dhe Parlamenti Evropian janë shumë kritikë ndaj procesit zgjedhor në Serbi dhe kjo, siç paralajmëroi, ka një ndikim negativ në negociatat për anëtarësim në BE.
Ai shtoi megjithatë se në Serbi është problem i madh të kryhet një hetim i pavarur dhe i hapur, sepse ndarja në shoqëri është e thellë, dhe sistemi gjyqësor dhe media shtetërore nuk janë mjaftueshëm të pavarura.
Alisson zbulon klubin ku dëshiron të transferohet pasi të la...
Hoti: Serbia nuk dëshiron zbatimin e deklaratës për të zhduk...
Haradinaj beson në lirimin e bashkëluftëtarëve që po gjykohe...
Një bullgar i akuzuar për spiunazh për Rusinë “kishte diskut...
Xheneta ngacmon Drilonin teksa pastronte në kuzhinë, pastaj ...
Shqipëria pranohet si Vëzhguese në Rrjetin Evropian të Admin...