Vetoja bullgare ndaj Maqedonisë për fillimin e bisedimeve me Bashkimin Evropian padrejtësisht penalizon edhe aspiratat e shqiptarëve dhe komuniteteve tjera etnike për integrim evropian, është vlerësimi i njohësve të zhvillimeve politike në vend lidhur me veton bullgare.
Sipas tyre, shqiptarët në kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë janë sjell me mjaftë korrektësi, anipse po rrezikohet një nga aspiratat e tyre më sublime si komb.
Shqiptarët po sillen në mënyrë korrekte ndaj kontestit të Maqedonisë me Bullgarinë. Në këtë kontest etnik maqedonaso-bullgar, po dëmtohet interesi strategjik i shqiptarëve dhe komuniteteve.
Kështu ka deklaruar ish-kryeministri Lupço Gjeorgevski, duke shtuar se “vetoja” bullgare padrejtësisht po penalizon edhe shqiptarët. “Para se të vendos veton, fqinji ynë lindor duhet të mendojë mirë. Mendoj se ata kanë anashkaluar një gjë deri më tani, nëse mendojnë se grindja e tyre është kundër maqedonasve, sikur harrojnë se në Maqedoni ka 50% të kombësive të tjera, shqiptarë, turq, serb…, përfshirë edhe bullgarët. Kjo do të thotë që vetoja po ua shuan ëndrrën dhe perspektivën evropiane, jo vetëm maqedonasve, por edhe të bashkësive etnike dhe kjo është arsyeja pse ata duhet të rishikojnë vendimin”, ka deklaruar Gjeorgievski.
Ish diplomati Muhamed Halili thotë se politika shqiptare në kontestin mes Maqedonisë dhe Bullgarisë, për hir të marrëdhënieve të mira ndëretnike, ka vendosur të solidarizohet me palën maqedonase.
Kjo në një anë, sipas tij, është në rregull, por në anën tjetër – penalizon shqiptarët dhe aspiratën e tyre euroatlantike.
“Lideri i partisë më të madhe shqiptare në pushtet deklaroi se ne duhet të qëndrojmë krah bashkëqytetarëve tanë maqedonas, që do të thotë se partitë politike shqiptare, pozitë-opozitë e kanë pranuar një fakt që ne të solidarizohemi me bashkëqytetarët tanë. Politika është deklaruar se përkrahë këtë penalizim, për shkak të marrëdhënieve të mira ndëretnike. Politika jonë në mënyrë të padrejtë ka pranuar një penalizim të tillë në emër të shqiptarëve. Politika jonë duhet të kujdeset për ata nga të cilët merr vota. Dhe duhet të kenë ide të qartë në këtë aspekt”, deklaroi për KOHA, Halili.
Në anë tjetër, Selim Ibraimi nga ISSD (Institute for Security Studies and Development) thotë se kontesti nuk është tashmë më etnik dhe nuk ju përket vetëm maqedonasve të flasin për këtë çështje. Politika shqiptare është zënë ngushtë, shton ai, andaj edhe nuk bënë zë.
“Çështja është tepër e lidhur me identitetin e Maqedonisë së Veriut dhe pasi në të jetojnë edhe shqiptarë, romë, turq…, ky identitet maqedonas po bëhet edhe më helmues për të gjithë. Në identitetin maqedonas thirren vetëm maqedonasit dhe jo të tjerët dhe pasi ata janë bartës të sovranitetit ata flasin më shumë dhe e shkruajnë historinë. Shkupi është dashur qysh moti ti pastrojë punët brenda dhe pastaj të dalë të krijojë tensione më Bullgarinë. Çështja është tek pala maqedonase dhe aty duhet kërkuar problemi dhe fajtori se pse nuk shkojmë në BE. Përveç kësaj problemi shtrihet deri në Rusi dhe për këtë problem shumë pak angazhim shoh nga qeveria, partitë politike dhe diplomacia e huaj që e mbështet vetëm një anë. Zgjidhjen e shoh tek largimi i disa individëve nga të dyja anët që kanë qëndrime radikale dhe nacionaliste e pastaj mund të arrihet marrëveshja lehtë dhe BE e kemi afërt me agjendë të vërtetë reformuese”, deklaroi për KOHA, Ibrahimi.
Opinionisti Artan Dika konsideron se vetoja bullgare e ka zënë në befasi dhe të papërgatitur Qeverinë e Maqedonisë.
“Gjendja aktuale por as edhe ecuria e mundshme e zhvillimeve nuk e favorizojnë pozitën e Maqedonisë. Historia e kontestit me Greqinë e dëshmon këtë. Me gjithë kritikat apo komentet e ndryshme ndaj qëndrimit bullgar që mund të përcillen nga mediat ato mbarojmë aty, BE është një strukturë ku solidariteti mes anëtarëve të Bashkimit vjen para pretendimeve të vendeve kandidate dhe ku çdo anëtarë e ka të drejtën e vetos që nuk mund t’ia heq apo kontestojë kush. Duket se Bullgaria e ka pritur Maqedoninë të vijë aty ku ajo do dhe ta kushtëzojë të pranojë qëndrimin e saj se maqedonasit janë një grup që rrjedhin nga bullgarët dhe gjuha dhe kombësia e tyre është krijuar me krijimin e RSFJ-së në 1945″, thekson Dika.
Sado që kontesti është ndëretnik, shprehet ai, rrjedhojat e tij prekin të gjithë vendin dhe të gjithë banorët e saj pa marrë parasysh etninë, duke përfshirë edhe shqiptarët.
“E thënë me pak fjalë Maqedonia tani është në mëshirën e Bullgarisë dhe qeverisë do duhet të ulet e të mendojë gjatë për strategjinë, ose më mirë me thënë, lëshimet që duhet të bëjë për ta kënaqur Bullgarinë”, nënvizon Dika.
Ndryshe, autoritetet më të larta shtetërore të Maqedonisë ende mbajnë shpresë se deri më 8,9 apo 10 dhjetor kur pritet të mbahet mbledhja e dytë e Këshillit të Përgjithshëm të BE-së, të mbahet edhe konferenca e parë ndërqeveritare, me çka do të fillon edhe zyrtarisht procesi i bisedimeve për anëtarësim.
Se ka shpresë për një marrëveshje mes Maqedonisë dhe Bullgarisë deri më 10 dhjetor, ka deklaruar edhe lideri i BD-së Ali Ahmeti.
Ai ka thënë se Ministri i Jashtëm, Osmani dhe aktorët tjerë nga dyja palët po bëjnë përpjekjet e fundit për të gjetur një zgjidhje kompromisi.
Paralajmërimi i Kurtit pas shpërthimit në Ibër Lepenc: Një p...
Shpërthimi në Ibër Lepenc, Kurti do të mbajë mbledhje të Kës...
Kurti: Besojmë se sulmi terrorist në Ibër Lepenc vjen nga fq...
KOSTT: Shpërthimi në Ibër Lepenc nuk ndërlidhet me ndërprerj...
Kryeministri Kurti thërret sonte konferencë për media
Osmani për shpërthimin në Zubin Potok: Bandat kriminale serb...