Google ADS

Vetëm Gjukanoviq është i sigurt nga shkarkimet e shkurtit

19:43 | 26 Janar 2022
L G

Një vit e gjysmë pas fitores së opozitës në Mal të Zi, e cila përmbysi pushtetin prej tre dekadash të Millo Gjukanoviqit, fituesit e zgjedhjeve janë në një “luftë” të ndërsjellë politike.

Qeveria është në prag të shkarkimit dhe kërkesat për zgjedhje të parakohshme parlamentare po bëhen gjithnjë e më të forta.

Krerët e tre koalicioneve opozitare, pasi që krijuan Qeverinë më 20 gusht i ndanë pozicionet e tyre drejtuese në shtet.

Përjashtim bën pozita e presidentit të shtetit, në të cilin u zgjodh Millo Gjukanoviq, në vitin 2018, me një mandat pesëvjeçar.

Zdravko Krivokapiq është zgjedhur për kryeministër, Dritan Abazoviq për zëvendëskryeministër, ndërkaq Aleksa Beçiq për kryetar të Kuvendit.

Tash, 14 muaj më vonë, kriza disamuajshe e pushtetit, midis Kuvendit dhe Qeverisë e po ashtu edhe brenda vetë Qeverisë, ka rezultuar me kërkesat për shkarkimin e krerëve të lartë të pushtetit në Mal të Zi.

Zëvendëskryeministri Abazoviq po kërkon shkarkimin e Qeverisë dhe të kryeministrit Krivokapiq. Kryeministri Krivokapiq kërkon shkarkimin e Abazoviqit. Opozita kërkon shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiq.

Krivokapiqi kërkon gjithashtu shkurtimin e mandatit të Kuvendit që e zgjodhi atë, si dhe shpalljen e zgjedhjeve.

Ndarja politike e fituesve të zgjedhjeve, të cilët kishin një shumicë të ngushtë prej 41 deputetësh në Kuvend, vetëm një më shumë se opozita, shoqërohet me akuza të rënda reciproke, tensione, protesta…

Më 3 shkurt – Për shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq

Kuvendi do të vendosë për nismën e kryeministrit malazez Zdravko Krivokapiq, më 19 janar, për shkarkimin e zëvendëskryeministrit, Dritan Abazoviq.

Pasi që Kuvendi i Malit të Zi ka 81 deputetë, për këtë shkarkim nevojiten votat e shumicës apo të më shumë se gjysmës së numrit të deputetëve, pra 41 vota.

Nuk dihet se sa deputetë do të votojnë për shkarkimin e Abazoviqit. Tash për tash, vetëm Fronti Demokratik pro-serb ka njoftuar për mbështetje të qartë për shkarkimin.

Votimi nuk ka peshë politike, sepse një ditë më vonë do të votohet për shkarkimin e Qeverisë, pjesë e së cilës është edhe Abazoviqi.

Më 4 shkurt – Për “shkarkimin” e Kuvendit

Qeveria e Krivokapiqit ka paraqitur kërkesë për shkurtimin e mandatit të Kuvendit të Malit të Zi, duke thënë se në këtë mënyrë do të krijohen kushtet për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Për shkurtimin e mandatit duhen po ashtu edhe 41 vota.

Aritmetika parlamentare, sipas njoftimeve të deritanishme politike për votimin, tregon se ky propozim nuk do të ketë mbështetjen e shumicës.

Ivan Vukoviq, nënkryetar i partisë më të fortë të opozitës DPS-së (Partia Demokratike e Socialistëve) dhe kryebashkiak i Podgoricës, ka porositur kryeministrin Krivokapiq, se nuk kishte mbështetjen e tyre për propozimin.

Blloku opozitar ka 40 vota, ndërkaq URA e Abazoviqit ka katër vota. Edhe Partia Popullore Socialiste, e cila është pjesë e Qeverisë dhe ka pesë deputetë, ka bërë të ditur se nuk do të mbështesë nismën e kryeministrit.

Nuk dihet nëse kundërshtarët e shkurtimit të mandatit do të dalin në sallë dhe do të votojnë kundër, apo duke mos marrë pjesë në seancë, do të pengojnë fillimin e saj për mungesë kuorumi.

Nëse Krivokapiq do të kishte arritur të siguronte shumicën për këtë propozim, nuk do të ishte votim për shkarkimin e Qeverisë, gjë që është caktuar për të njëjtën ditë, një orë më vonë, kështu që Qeveria e tij do të kishte qëndruar në detyrë deri në zgjedhjen e një ekzekutivi të ri.

Më 4 shkurt – Për shkarkimin e kryeministrit Krivokapiq
Nisma për mocionin e mosbesimit ndaj Qeverisë së Malit të Zi të kryeministrit, Zdravko Krivokapiq, është dorëzuar për procedurë parlamentare më 19 janar, njoftoi Lëvizja Qytetare URA.

Nisma është nënshkruar nga gjithsej 31 deputetë, katër deputetë nga URA dhe Unioni i qytetarëve CIVIS, që janë pjesë e Qeverisë, si dhe 27 parti opozitare – dy lista socialdemokrate, Lista boshnjake, Lista shqiptare, Koalicioni shqiptar dhe një pjesë e deputetëve të Partisë Demokratike e Socialistëve.

Sipas njoftimeve, nga numri i nevojshëm prej 41 votave, kjo nismë ka 44 vota për të votuar mosbesimin ndaj Qeverisë së Krivokapiqit.

Pavarësisht mbështetjes parimore për projektin e qeverisë së pakicës, e cila do të duhej të zëvendësojë aktualen, pesë deputetë të Partisë Popullore Socialiste, e cila është pjesë e Qeverisë, nuk do të votojnë për shkarkimin e Qeverisë aktuale.

Çfarë ndodh nëse do të ketë shkarkim të Qeverisë?

Në qoftë se Qeveria e Krivokapiqit shkarkohet, presidenti i Malit të Zi, Millo Gjukanoviq, do t’i japë mandatin për formimin e Qeverisë së re një grupi politik, i cili është në gjendje që për propozimin e vetë të sigurojë 41 vota mbështetëse në Kuvend për propozimin e tij. Nëse askush nuk mund ta sigurojë këtë kusht, do të pasojnë zgjedhje të parakohshme parlamentare.

Më 17 janar, URA propozoi formimin e një qeverie të pakicës si model për tejkalimin e krizës politike disamujore. Memorandumi i nënshkruar më parë nga shtatë liderët e partive parlamentare, do të ishte pikënisja.

Në qeverinë e pakicës nuk do të kishte anëtarë të DPS-së apo Frontit Demokratik pro-serb (DF). Arsyet për këtë janë mungesa së kapaciteteve dhe vullnetit demokratik nga ana e DPS-së për të luftuar korrupsionin dhe krimin, gjë që mungoi gjatë qeverisjes së saj 30-vjeçare, si dhe mungesa e një orientimi të qartë euroatlantik e DF-së.

Kush mund të mbështesë një qeveri të pakicës?

Mbështetja e vetme e sigurt për Lëvizjen URA për formimin e një qeverie të pakicës, deri më tani vjen nga vetë partitë e popujve pakicë. Pjesa tjetër e opozitës e udhëhequr nga DPS-ja e Gjukanoviqit, nuk është deklaruar ende.

Partnerët aktualë në pushtet, Fronti Demokratik dhe Demokratët, janë qartësisht kundër dhe preferojnë një qeveri teknike që do të organizonte zgjedhjet.

Partia Popullore Socialiste, e cila është gjithashtu nga blloku i pushtetit, ndonëse nënshkruesi i memorandumit, ende po e “peshon” se çfarë qëndrimi do të marrë.

Një nga prioritetet e qeverisë së pakicës do të ishte përgatitja për zgjedhje të parakohshme.

Më 7 shkurt – Për shkarkimin e kryetarit të Kuvendit, Beçiq

Propozimi për shkarkimin e Aleksa Beçiqit është nënshkruar nga 38 deputetë të partive opozitare, në krye me Partinë Demokratike të Socialistëve.

Për shkarkimin e Beçiqit nevojiten 41 vota, që do të thotë se opozita, si e vetme, nuk ka vota të mjaftueshme për largimin. Është e pasigurt nëse URA do t’i japë mbështetje vendimtare opozitës për largimin e kryeparlamentarit dhe kreut të Demokratëve. Marrëdhëniet politike ndërmjet Lëvizjes URA dhe Demokratëve janë në një fazë konflikti të hapur, për shkak të synimit të Abazoviqit për të shkarkuar Qeverinë.

Demokratët e Beçiqit dhe Fronti Demokratik nuk do ta mbështesin shkarkimin.

Qeveria e Krivokapiqit u zgjodh pas zgjedhjeve parlamentare të gushtit të vitit 2020, në të cilat u largua qeveria 30-vjeçare e DPS-së të Millo Gjukanoviqit, i cili është ende president. Qeveria u formua nga DF-ja pro-serbe, Demokratët dhe URA.

Në mesin e vitit të kaluar, Qeveria humbi mbështetjen, kryesisht nga DF-ja pro-serbe, për shkak të miratimit të Rezolutës për Srebrenicën në Kuvendin e Malit të Zi, si dhe të shkarkimit të ministrit Vlladimir Leposaviq, për shkak të mohimit të gjenocidit në Srebrenicë, shkarkim ky i cili u kundërshtua nga kjo parti.

Por, vetëm hapja e konfliktit ndërmjet Lëvizjes URA dhe Qeverisë, në shtator të vitit të kaluar, me rastin e kurorëzimit të Mitropolitit të Kishës Ortodokse Serbe, Joaniki në Cetinje, çoi në formalizimin e çështjes së besimit ndaj pushtetit ekzekutiv.

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme