Vazhdon sot seanca maratonike e Kuvendit të Maqedonisë

09:14 | 25 Prill 2017
Arbresh.info

Kuvendi i Republikës së Maqedonisë sot duhet ta vazhdojë seancën konstitutive në të cilën debatohet për zgjedhjen e Komisionit për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve.

Në vijimin e deritanishëm të debatit tema kryesore ishte platforma e Tiranës për të cilën deputetët e VMRO-DPMNE-së konsiderojnë se është vendosur pas zgjedhjeve dhe kërkojnë që LSDM-ja të heqë dorë nga ajo dhe të shkohet në zgjedhje të reja.

Nga LSDM, ndërkaq, konsiderojnë se me debatin nuk po respektohet Rregullorja e Kuvendit dhe se deputetët e VMRO-DPMNE-së diskutojnë për tema të cilat nuk kanë lidhje me pikën e rendit të ditës. Ata kërkuan të kalohet në votim të pikës së ardhshme të rendit të ditës, përkatësisht zgjedhje të kryetarit të Kuvendit.

Në pajtim me atë për të cilën është arritur marrëveshje, në Komisionin për çështje të zgjedhjeve dhe emërimeve duhet të bëjnë pjesë gjashtë përfaqësues të VMRO-DPMNE-së, pesë të LSDM-së, ndërkaq BDI dhe BESA të kenë nga një anëtar.

Mbledhja konstitutive e Kuvendit filloi më 30 dhjetor të vitit të kaluar, por ishte ndërprerë sepse nuk ishte siguruar shumicë parlamentare për zgjedhje të kryetarit të Shtëpisë ligjvënëse.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme