Vazhdojnë dëshmitë në rastin “Kumanova”

17:39 | 29 Mars 2017
Arbresh.info

Seanca gjyqësore për rastin e Kumanovës ka vazhduar me dëgjimin e dëshmive të akuzuarve Sevdail Miftari dhe Fatmir Reçica. I akuzuari Sevdail Miftari tha para gjykatës se disa ditë pasi e kanë dërguar në paraburgim e kanë vizituar tre inspektor të policisë të cilët kanë kërkuar nga ai që të dëshmojë kundër të akuzuarve Arsim Bajrami, Irfan Lutfiut, Besnik Ajdinit dhe Fadil Fejzullahut në të kundërtën ai nuk do t’i shihte më familjarët e tij.

Ai kërkoi që dëshmia e tij të bëhet publike se çfarë në të vërtetë ka thënë për këta persona të cilët i vlerëson të pafajshëm. Miftari gjithashtu tha se, në Maqedoni është ftuar nga katër presona të Kosovës të cilët i kanë thënë se në Maqedoni do të shkonin për bashkimin kombëtar.

“Këtu kam ardhur për bashkim kombëtar dhe jo për marrëveshjen e Ohrit, për marrëveshjen e Ohrit nuk do vija asnjëherë. Kam qen i armatosur dhe kam gjuajtur me armë. Dua të shoh analizat e armës nëse kamë vrarë ose kam plagosur ndonjë person. Të akuzuarit Lirim Demiri dhe Kenan Iseini janë të pafajshëm. Ata i kemi marr në qafë dhe unë dua të marr dënimin e tyre. Në fshatin Hotël kanë ardhur inspektorë të policisë, kam biseduar me ta, por emrat nuk i di” – tha i akuzuari Sevdail Miftari.

Dëshmia e Sevdail Mifatrit u kundërshtua nga shumë të akuzuar të tjerë të cilët kërkuan nga Miftari që të tregoj emrat e inspektorëve që i ka përmendur në shumë seanca më parë dhe që gjatë ditës së sotme është duke i fshehur. Ata kërkuan nga Miftari të mos gënjeje dhe të mos i mbrojë kriminelët. Avokati Naser Raufi tha se Miftari nuk është kërcënuar

“Unë jam i sigurt se nuk ka kërcënime në bazë të bisedës që e kem pasur më këtë klient, vërtet fillimisht përmendi disa emra por tash u tërhoq dhe unë se di arsyen pse u tërhoq” deklaroi avokati Naser Raufi.

Por familjarët e të akuzuarit Valdet Zekaj thonë se të akuzuarit janë manipuluar dhe tradhtuar, duke kërkuar që ky rast të shqyrtohet nga gjykatat ndërkombëtare, raporton Alsat-M, përcjellë Klan Kosova.

” Këta janë të manipulua këtë janë të tradhtuar, këtë nuk i përmendin emrat e njerëzve para avokatit i përmendin dhe thotë se do të them kështu,kur del në gjykatë i ndryshon fjalët. Unë kërkoj ndihmë nga gjykata ndërkombëtare për zbardhjen e rastit të Kumanovës pasi që unë i konsideroj se janë të pafajshëm”– tha Ismail Zekaj, familjar i Valdet Zekaj.

Seanca e ardhshme për rastin e Kumanovës do të vazhdoj me 19 prill, ndërsa nesër pritet të zhvillohet seanca kundër të akuzuarit tjetër për këtë rast Sulejman Osmanit .

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme