​Varfëria energjetike në Maqedoni do të shkaktojë ndotje

22:05 | 8 Tetor 2022
E.H

Varfëria energjetike do të shkaktojë ndotje më të madhe të ajrit, sepse qytetarët do të kenë parësore mbrojtjen nga i ftohti, pa menduar gjatë për rrezikun që i shkaktojnë shëndetit të tyre dhe të tjerëve.

Institucionet në Maqedoni të Veriut apelojnë vazhdimisht, por duket se me çmimet jashtëzakonisht të larta të lëndëve për ngrohje, mbetet në dorë të qytetarëve të marrin vendimin e duhur.

Çfarëdo lëndë që të blini për ngrohje, qytetarët duhet që gjithmonë të kërkojnë faturën, sepse në këtë mënyrë do mbrohen nga abuzimet me çmimet, siç është rasti me çmimin e druve.

Por kur jemi te drutë, një hulumtim ka treguar se përdorja e shporeteve të vjetër me dru ka bërë që ajri brenda objekteve të banimit të jetë shumë i ndotur.

“Ajri brenda shtëpive që kanë përdorur shportë të vjetër për ngrohje me dru, ishte disa herë më I ndotur se ajri jashtë shtëpisë. Edhe pse Shkupi pothuajse gjatë gjithë sezonit është i ndotur. Për fat të keq në shtëpitë ku janë përdorur shporetë të vjetër për ngrohje me dru, që nuk janë mirë të izoluar, nuk kanë efikasitet, ndotja është shumë më e lartë. Kur ndryshuan mënyrën e ngrohje, ndotja u ul për dhjetëra herë”, tha Dejan Mirakovski prof.dr “Goce Dellçev”- Shtip.

Sipas Mirakovskit, ngrohja me dru shkakton ndotje, por ajo që është shumë herë më e rrezikshme është ngrohja me dru të trajtuar me kimikate, si mbetjet nga mobiliet, për të mos folur se sa e dëmshme është ndotja në raste kur për ngrohje përdoren goma apo materiale plastike.

“Djegia e mbetjeve, veçanërisht e atyre materialeve që janë trajtuar me kimikate të ndryshme për përmirësim të cilësisë apo për pamje më të mirë, siç janë mbetjet nga mobiliet, është shumë e rrezikshme. Është e rrezikshme edhe në kushte të kontrolluara dhe jo më djegia e tyre në vatra në kushte shtëpie. Mund të emetojë substanca të cilat janë jashtëzakonisht të rrezikshme edhe në hapësirat e brendshme, por edhe jashtë ku të gjithë ne lëvizim. Kështu që djegia e materialeve të tilla nuk rekomandohet as në kohët kur çmimet e lëndëve të tjera djegëse janë jashtëzakonisht të larta”, shtoi ai.

Laboratori Qendror i Mjedisit Jetësorë nuk do të jetë i gatshëm as këtë dimër për të monitoruar cilësinë e ajrit që thithim. Nga Ministria e Mjedisit Jetësor thonë se laboratori është në pritje të punësimeve të reja për të akredituar metodat e ndjekjes së cilësisë së ajrit. Tani për tani, sipas këtij dikasteri, është blerë një instrument për matjen e shkarkimeve në burime stacionare dhe për të është trajnuar një operator, por për akreditimin e metodave nevojiten tre operatorë. Pasi të kemi punësimin e ekspertëve të rinj, planifikojnë të kenë disa metoda për akreditimin e ajrit./Alsat.mk/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme