Kryeministri, Zoran Zaev sot ka zhvilluar bisedë telefonike me kryetaren e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen.
Në bisedë, ku morën pjesë edhe zëvendëskryetari i Qeverisë i ngarkuar për çështje evropiane, Nikolla Dimitrov dhe ministri i Punëve të Jashtme, Bujar Osmani, Kryeministri Zaev shprehu falënderim për pakon për zgjerim edhe për raportin pozitiv të Komisionit Evropian për vendin tonë, me të cilat Brukseli konfirmoi se Maqedonia e Veriut është e gatshme për konferencën e parë ndërqeveritare për fillimin e negociatave me BE-në.
Zaev shtoi se kjo mbështetje ka domethënie shtesë sepse është e shoqëruar me Planin ekonomik dhe investues për vendet nga rajoni, për mbështetjen e procesit për realizimin e standardeve evropiane dhe shteteve të Ballkanit Perëndimor me aspirata për anëtarësim në BE.
Kryeministri Zaev e njoftoi Kryetaren e KE-së von der Leyen edhe për bisedimet aktuale me Republikën e Bullgarisë dhe i prezantoi pozitat e Maqedonisë së Veriut.
Në këtë kontekst, Kryeministri Zaev u falënderua për angazhimin personal të Kryetares së KE-së, si dhe të gjithë eurokomisarëve, veçanërisht duke potencuar angazhimin në këtë plan të kryesisë gjermane me BE-në, si dhe përkushtimin që të gjendet zgjidhje, e cila do të jetë sukses për Maqedoninë e Veriut, për Republikën e Bullgarisë, për BE-në dhe për Ballkanin Perëndimor.
Kryetarja e KE-së Ursula von der Leyen nga ana e saj theksoi se Brukseli pret zgjidhje pozitive si rezultat i realizuar bashkërisht nga të gjitha palët për integrim të suksesshëm të Maqedonisë së Veriut në BE.
Kryetarja e KE-së shtoi se Maqedonia e Veriut është shembull pozitiv për Ballkanin Perëndimor për reformat e realizuara, për marrëveshjet e arritura me Greqinë dhe Bullgarinë dhe për udhëheqjen në bashkëpunimin rajonal.
Kryeministri Zaev njoftoi edhe për organizimin e suksesshëm si nikoqir i përbashkët i Samitit të Liderëve për Ballkanin Perëndimor në kuadër të Procesit të Berlinit në Sofje, në të cilin u sollën vendime dhe deklarata për përfitime të veçanta për bashkëpunimin rajonal dhe për zhvillimin ekonomik të vendeve nga rajoni në përputhje me planet dhe agjendën e BE-së.
Kryetari i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut e informoi Kryetaren e KE-së von der Leyen edhe për situatën me COVID-19 në vend dhe u falënderua për mbështetjen e BE-së në ballafaqim me pandeminë.
Osmani dekoroi me Urdhrin e Pavarësisë, Anne Marie Lizin
Partia Social Demokrate tërhiqet nga negociatat e qeverisë n...
Kurti: Mbrojtja e burimeve ujore dhe rritja e kapaciteteve t...
FIFA pajtohet me vendimin e Arabisë Saudite për të ndaluar a...
Aliu: Trafiku ajror në Prishtinë funksionon pa ndërprerje fa...
Schnetzer: Austria vazhdon të jetë investitori i pestë më i ...