Ulet numri i shtetasve të RMV-së të cilët janë kthyer nga vendet e Bashkimit Evropian sipas marrëveshjes për riatdhesim. Sipas të dhënave të MPB-së në vitin 2019 në vend ishin kthyer 1.300 persona, përderisa në vitin 2016 – 3.500, ndërsa në vitin 2015 – 9.000. Shumica e këtyre personave janë romë.
Komisioni i Përhershëm Anketues për Mbrojtje të Lirive dhe të Drejtave të Qytetarit sot mbajti debat publik për problemet e të kthyerve nga vendet e BE-së sipas marrëveshjeve për riatdhesim, përcjell Telegrafi Maqedoni.
“Sollëm përfundime konkrete për përforcimin e politikave të shtetit të cilat kanë të bëjnë me qytetarët të cilët dhunshëm ose vullnetarisht kthehen nga vendet e BE-së. Ata përballen me probleme konkrete në pjesën e arsimit, shëndetësisë, mbrojtjes sociale, punësimit. Qeveria ka program që nga viti 2010 për këtë çështje, por nuk është zbatuar. Ne kërkojmë Qeveria të zbatojë masa konkrete”, deklaroi kryetari i Komisionit të Përhershëm Anketues”, deputeti Fadil Zendeli.
Snezhana Trajanovska përfaqësuese e MPB-së theksoi se vitet e fundit ulet numri i shtetasve nga RMV-ja të kthyer në vend sipas marrëveshjes për riatdhesim me BE-në, por gjithashtu theksoi se ky numër ndoshta nuk është real sepse disa persona kthehen vetë gjegjësisht individualisht dhe i kalojnë formalitetet kufitare si udhëtarët e tjerë. Kryesisht, siç tha ajo, bëhet fjalë për romë të cilët pas një periudhë më të gjatë ose më të shkurtë kthehen në vend.
Takimi i fundit i përfaqësuesve të vendit tonë në lidhje me këtë çështje në Bruksel ishte në shtator të vitit 2019. Deri më tani kemi nënshkruar 25 marrëveshje për riatdhesim, përfshirë edhe BE-në, ndërsa vijon procedurë për marrëveshje për riatdhesim me edhe pesë vende.
Ministri përgjegjës për Zbatimin e Strategjisë për Përmirësim të Gjendjes së Romëve, Muzafer Bajram dhe Malinka Ristevska – Jordanova nga Instituti për Politikë Evropiane theksuan se, pa dallim se pas çfarë periudhe këta persona kthehen në vend, është e nevojshme që menjëherë ose shpejtë t’iu jepen të drejtat të cilat i kishin humbur kur ishin larguar, që ata të munden që sa më shpejtë të integrohen në sistem.
Ristevska – Jordanova tha se nevojitet që ata menjëherë të kenë qasje deri te mbrojtja sociale, shërbimet shëndetësore, arsim, të kenë lehtësime për punësime gjegjësisht regjistrim në Agjencinë për Punësim.
Rekomandimi i tyre është që të kenë ekipe të specializuara për ndihmë të këtyre personave. “Institucionet janë të përkushtuara në punën e tyre, por mungon qasje sistematike”, theksoi ajo.
Aksidenti në rrugën Pejë-Prishtinë, 22 persona marrin trajti...
Casado për Pedrin: Ai është një nga më të mirët në pozicioni...
Përplasen 2 automjete në aksin Korçë-Pogradec, 2 të lënduar
Dënohet me 18 vite burg pronari i hotelit që u shemb nga tër...
Mungesa e energjisë elektrike, ministria e Ekonomisë del për...
Mbesin pa ujë deri nesër dy fshatra të Vushtrrisë