Në ditët e para të Marsit, në Lepushë të Kelmendit, u zhvillua një tur dyditor për promovimin e turizmit dimëror në Malësi të Madhe, duke ofruar kështu mundësinë e turizmit gjithëvjetor në këtë zonë malore, pjesë e Parkut Kombëtar të Alpeve Shqiptare.
Ky aktivitet, i cili bëri bashkë përfaqësues të pushtetit vendor dhe qendror, tour operatorë, udhërrëfyes turistik, media, miq e bashkëpunëtore që punojnë në zhvillimin e turizmit, u mundësua falë projektit “Bukë, kripë e zemër”, realizuar nga VIS Albania në bashkëpunim me Bashkinë Malësi e Madhe, financuar nga Agjencia Italiane e Bashkëpunimit për Zhvillim.
Luginat e Kelmendit janë nga më të bukurat në Alpet e Shqipërisë! Tashmë, rruga e re e asfaltuar mundëson udhëtim komod dhe e sjell rajonin më pranë, duke e shndërruar në një destinacion mjaft të lakmuar dhe lehtësisht të arritshëm për një fundjavë mes natyrës malore.
Udhëtimi për në Malësi të Madhe kalon përmes qafës spektakolare të Leqeve të Hotit, pikë qëndrimi për të gjithë ata që nisen drejt Kelmendit, ku çdokush merr me vete një kujtim nga ballkoni i xhamtë, rrethuar nga majat e larta e duke shikuar ujrat e kristalë e të gjelbër të Cemit. Pas kësaj ndalese, rrugëtimi të çon drejt Tamarës, qendrës administrative të Kelmendit, këtij fshati të vogël malor, por me njerëz me zemër të madhe e mikpritje të pashoqe. Qendra dhe sheshi i këtij fshati, ku janë mbledhur në të institucionet, Zyra Turistike Tamarë, dyqane e bar restorane, të bën për vete. Ajo çka bie në sy është rikonstruksioni i sheshit të fshatit, ndërtuar e shtruar me gurë, e shkallët që të shpien më afër lumit dhe masivëve gurorë, ku uji gurgullon fuqishëm, janë një tjetër përshtypje e mirë që gjithsecili merr me vete.
Një vizitë në Qendrën Multifunksionale në Tamarë, ku të ftuarit u njohën me atë çfarë ofron kjo qendër dhe zyra turistike në Tamarë, të pranishmit shijuan djathin e veçantë Mishavinë, pijet me boronicë, shegë e thanë, fruta që identifikojnë më së miri zonën.
Dreka e shtruar në Restorant “Bukë, kripë e zemër” – thënia që personifikon mikpritjen e veçantë shqiptare, ishte e pasur me produkte vendore të zonës, të servirura me dashuri e duke bërë edhe një prezantim për secilën nga gatesat e përgatitura, për të cilat shquhet zona. Aperitivi me lëng shege u shoqërua më pas nga Mishavina, reçelrat dhe djathrat e tjerë të zonës, nga patatet e famshme të Vermoshit e nuk mund të mungonte kurrsesi trofta e lumit Cem.
Pas drekës së shijshme dhe dy ndalesave në rezervatin e troftës në Selcë dhe pranë një ujvare, nisja drejt fshatit të mrekullueshëm të Lepushës, nën ‘hijen” e kreshtave majëmprehta të Bjeshkëve të Namuna, në të cilin janë krijuar mundësi për zhvillimin e turizmit dimëror, të cilin po e mbështet dhe promovon organizata VIS Albania. Falë ndërhyrjeve të saj është bërë i mundur tanimë sistemi i ngrohjes me kaldaja në 4 shtëpi pritëse dhe janë blerë rrathët e dëborës, aq të nevojshëm për përshkimin e shtigjeve me dëborë.
Të nisur nga Tirana me mot me diell, e duke lënë me një mot po kaq të mirë edhe Tamarën, peizazhi dhe moti që gjetëm në Lepushë mbizotërohej nga bardhësia e flokëve të dëborës, që kishte shtruar qilimin e saj kudo.
Luigj Cekaj i zoti i shtëpisë pritëse “Alpini” hapi i pari dyert për të 43 personat e mbërritur në Lepushë. Soba me drutë që kërcisnin ofronte të njëjtën ngrohtësi të banorëve të shtëpisë. Çaj mali, kafe e raki boronice i mblodhën të gjithë bashkë rreth sofrës mikpritëse kelmendase. Një darkë me gatime të shijshme e me produkte tipike të zonës u shtrua për “turistët” që shtëpia bujti e binte në sy shumëllojshmëria e produkteve që mund të ofrojë zona, të cilat janë thesare të vërteta gastronomike. Mbrëmja vazhdoi nën ritmin e tingujve festivë të folklorit vendas, të cilat i luajti me çifteli Besniku, e s’kish se si të mos çoheshin e kërcenin me gaz e hare…. tinguj ndaj të cilëve nuk mbetesh dot indiferent.
Për t’u dhënë mundësinë edhe shtëpive të tjera pritëse të zonës, të cilat janë pjesë e konsorciumit “Fryma e Kelmendit”, për të mikpritur në shtëpitë e tyre të ngrohta miqtë tanë, grupi u nda në tre shtëpi të tjera, në atë të Tom Dragut, Zef Nilajt dhe Besnik Pepushajt, të cilët hapën dyert e zemrën për të ftuarit tanë.
Gjatë natës flokët e dëborës binin papushim e era përplasej dritareve e pemëve, por brenda mureve të shtëpive çdokush fjeti ngrohte e rehat. Pas një zgjimi rrethuar nga bardhësia anembanë, një mëngjes tipik u shtrua në të gjitha shtëpitë, me petulla të ngrohta të shoqëruara me mjaltë, reçel e djathë, qumësht mazë të freskët e bukë fshati, të gjitha të gatuara në shtëpi.
Më pas, drejt shtegut të Grebenit u nisën “shtegtarët”, shoqëruar nga guida e Outdoor Albania, udhërrëfyesi lokal e udhërrëfyesit e tjerë pjesë e turit, të ndjekur hap pas hapi që nga fillimi i këtij turi nga gazetarët e ftuar, të cilët përcollën në kohë reale gjithçka ndodhte në Kelmendin e mahnitshëm. Një përvojë e jashtëzakonshme dhe me mbresa nga secili prej atyre që provoi të ngjiste majën me dëborë, ku trashësia e saj shkonte deri mbi gju. Përjetim i veçantë, foto grupi me fytyra të qeshura e gazmore, një përvojë për të mos u humbur për ata që janë të apasionuar pas natyrës në çdo stinë. Pas kthimit në shtëpitë pritëse, pas një pushimi të shkurtër e shijimit të drekës tradicionale, u përshëndetëm me mikpritësit, për të vijuar rrugën e kthimit drejt Tiranës.
Promovimi i turizmit dimëror në Malësi të Madhe, rezultoi të ishte një përvojë e paharruar dyditore, një udhëtim në kohë, që mund ta bëni në çdo stinë, për të shijuar gjithçka; natyrën, mikpritjen malësore, ushqimin e rrallë e të shijshëm, traditën si askund tjetër, bukuritë pa fund, aventurat plot nerv e adrenalinë dhe ajrin e pastër të Alpeve. Malësia e Madhe e ka bërë tashmë ofertën e saj të parezistueshme: Bukë, Kripë e Zemër.
VIS Albania, falë pranisë së saj disavjeçare në Malësi të Madhe, në kuadër të projekteve të financuara nga Kooperacioni Italian, është përpjekur të nxjerrë në pah potencialet që ka zona për zhvillimin e turizmit, duke përmirësuar cilësinë e shërbimeve dhe duke diversifikuar ofertën turistike në kërkim të burimeve që sjellin turizmin e qëndrueshëm në këto zona të bukura të Alpeve shqiptare. Sot, zona e Kelmendit dhe Shkrelit, i ka kombinuar burimet e saj natyrore me traditën e rrallë të malësisë dhe tiparet e domosdoshme të turizmit, duke bërë bashkë tri shtyllat kryesore të turizmit, akomodim, gastronomi dhe ture. Shkoni të shihni nga afër dhe të shijoni sot ofertën turistike të këtye zonave të mrekullueshme.
Musliu në Köln të Gjermanisë: Përkrahja juaj është fitorja j...
Astrit Selmani gjen sërish golin dhe vazhdon me formë të lar...
Në prag të protestës së 26 nëntorit, Berisha: Nesër do të kr...
Ciolacu prin në zgjedhjet presidenciale të Rumanisë, sipas s...
Kurti pret nesër në takim kryetarin e Kuvendit të RMV-së, Af...
Nesër nis ndërtimi i Parkut Industrial në Drenas, marrin pje...