Proceset gjyqësore kundër shumë ish-zyrtarëve të lartë shtetëror ende nuk kanë marrë asnjë epilog.
Më 9 shkurt, janë mbushur tri vjet nga nisja e publikimit të bisedave të përgjuara telefonike nga opozita e atëhershme, e cila pretendon se përmbajtja e bisedave dëshmon përfshirjen e ish-zyrtarëve në vepra të shumta penale.
Një proces gjyqësor është duke u zhvilluar edhe kundër ish-kryeministrit, Nikolla Gruevski ndaj të cilit janë ngritur pesë akuza, si për mashtrime zgjedhore, keqpërdorime të fondeve shtetëror, keqtrajtim të ish- kundërshtarëve politikë, nxitje të dhunës e për raste tjera.
Po ashtu, në bankën e të akuzuare janë edhe disa ish-ministra të kabinetit të ish-kryeministrit Gruevski, siç janë Gordana Jankullovska, ish-ministre e Punëve të Brendshme, Mile Janakievski, ish-ministër i Transportit dhe Lidhjeve, si dhe ndaj ish-shefit të policisë sekrete, Sasho Mijalkov i cili është kushëri i Gruevskit.
Proceset gjyqësore ndaj tyre po udhëhiqen nga prokurorët e Prokurorisë Speciale, e cila është themeluar në vitin 2015 për shkak të mosbesimit ndaj Prokurorisë së Rregullt. Por, deri më sot, as kjo prokurori nuk ka përfunduar asnjë gjykim.
Arsyet janë të ndryshme, ndërkaq si shkak kryesor pretendohet të jetë keqpërdorimi i sistemit për caktimin e gjykatësve për lëndët.
“Sistemi për shpërndarjen e lëndëve nuk ka qenë aspak në funksion apo është keqpërdorur nga ata që janë në funksione si kryetar i Gjykatës Supreme, Gjykatës Penale e kështu me radhë”, thotë ish-prokurori, Aleksandar Nakov.
“Ata kanë bërë vepër penale pasi nuk e kanë përdorur sistemin për ndarjen elektronike të lëndëve gjyqësore, por këtë e kanë bërë si kanë dashur, apo caktimin e gjykatësve e kanë bërë sipas nevojave të tyre apo rekomandimeve tjera. Nuk do të kishim një situatë të tillë sikur këto lëndë gjyqësore të gjykoheshin nga gjykatës të pavarur dhe profesional”, thotë tutje Nakov.
Njohësit e çështjeve juridike thonë se qytetarët kanë pritur shumë më tepër për vendosjen e drejtësisë në vend, por zvarritja e proceseve gjyqësore sipas tyre, flet se gjyqësori ende nuk është në krye të detyrës.
Mersim Maksuti, profesor i së drejtës kushtetuese thotë se reformat po zhvillohen me ritëm të ngadaltë dhe kjo pamundëson rritjen e efikasitetit të gjykatave dhe largimin e elementëve korruptues apo që janë të lidhur me politikën.
“Kjo lidhet me reformimin e ngadaltë të sistemit gjyqësor, pra është pasojë e joefikasitetit të mjaftueshëm, si rezultat i mos reformimit të gjyqësorit. Por, kjo është edhe si pasojë e mosreformimit edhe të institucioneve tjera, si prokurorisë dhe organeve tjera. Qytetarët presin vendosjen e drejtësisë dhe kjo duhet të ndodhë”, thotë Maksuti.
Kryeministri aktual i Maqedonisë, Zoran Zaev, që në kohën e përgjimeve si lider opozitar kishte publikuar shumë biseda të përgjuara telefonike të zyrtarëve të lartë, përfaqësuesve të opozitës, të gazetarëve, biznesmenëve, por edhe personaliteteve tjera, ku kishte akuzuar ish-kryeministrin, Nikolla Gruevski, drejtorin e policisë sekrete, Sasho Mijalkov se me urdhër të tyre ishin përgjuara mbi 20 mijë qytetarë.
Por, Gruevski në të gjitha paraqitjet e deritanishme ka hedhur poshtë pretendimet e Zaevit, duke theksuar se përgjimet janë bërë nga shërbime të huaja me ndihmën e liderit socialdemokrat dhe se ato më pas janë montuar me qëllim diskreditimin e qeverisjes së tij. Raporti i radhës i Prokurorisë Speciale për punën e bërë duhet të publikohet më 15 mars./REL
Alex Iwobit iu zbulua dikur paga në internet dhe kishte shif...
Tentohet të vidhet banka në Korçë, policia në vendin e ngjar...
Aksident te Dheu i Bardhë, lëndohen shtatë persona
Pacolli për sulmin në Gjermani: Këta njerëz që ndryshojnë fe...
Sistemi i ri për mbrojtjen nga raketat, përforcon krahun lin...
Blerësit ankohet për çmimet, tregtarët: Ka vështirësi në fur...