Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë ka thirrur në bisedë ambasadorin serb në Tiranë, Sllobodan Vukçeviq, dhe i ka kërkuar sqarime për një deklaratë të bërë nga zëvendëskryeministri, Aleksandar Vulin, në lidhje me një takim që ka zhvilluar kryeministri shqiptar, Edi Rama, në Greqi.
Numri dy i Qeverisë serbe reagoi pas takimit që kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, zhvilloi me emigrantët shqiptarë në Athinë më 12 maj.
Vulin tha se “‘Shqipëria e Madhe’ mund të ndalet vetëm nga serbët dhe ‘Bota Serbe’, por edhe ju grekë të dashur, ju lutem mendojeni këtë”.
Ministria e Jashtme e Shqipërisë e cilësoi deklaratën e Vulinit si “provokuese, në kundërshtim me frymën e marrëdhënieve të bashkëpunimit dhe nuk i shërben paqes dhe stabilitetit në vendet e Ballkanit”.
Kjo ministri tha se Shqipëria është faktor i rëndësishëm që punon dhe kontribuon për paqen dhe sigurinë në rajonin e Ballkanit Perëndimor, dhe kjo është “në thelb të bashkëpunimit edhe me Serbinë”.
“Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme pret reflektim të menjëhershëm, në mënyrë që deklarata të tilla të dëmshme, të përsëritura, të mos ndikojnë në marrëdhëniet tona, të cilat duhet të jenë të orientuara drejt fqinjësisë së mirë dhe integrimit evropian”, u tha në reagim.
Mediat serbe raportuan më 13 maj se zëvendëskryeministri serb, Aleksandar Vulin, ka kërkuar aleancë me Greqinë, për të ndalur, atë që e ka quajtur “Shqipëri të Madhe”.
“Herën tjetër që Qeveria e Greqisë të mendojë për njohjen e të ashtuquajturës Kosovë, le të kujtojë se si duket pritja e Edi Ramës në mes të Athinës. Atë që Rama nuk mundi ta përjetonte në Tiranë, e përjetoi në Athinë. Njohja e të ashtuquajturës Kosovë nga autoritetet greke dhe pranimi i Prishtinës në Këshillin e Evropës, do të ishte një kontribut i pamatshëm i Qeverisë së Greqisë dhe Dora Bakoyyanis, në krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’. Shqipëria mund të ndalet vetëm nga serbët dhe ‘Bota Serbe’, por edhe nga ju grekë të dashur, grekët tanë. Ju lutem mendoni për këtë”, citohet të ketë thënë Vulin.
Për një kohë të gjatë Vulin proklamon idenë e “Botës Serbe”, apo projektit për bashkimin e serbëve kudo që ata janë. Një projekt i tillë është parë si kërcënim për rajonin.
Kjo nuk është hera e parë që deklaratat e Vulinit shtyjnë Shqipërinë të kërkojë sqarime nga ambasadorët serbë në Tiranë. Para katër vjetësh Tirana kërkoi sqarime nga ambasadori serb, për shkak të një qëndrimi të Vulinit, që atëbotë ishte ministër i Mbrojtjes. Në atë kohë, Vulin kishte reaguar lidhur me një deklaratë të Ramës se porti i Durrësit do të jetë de facto port i Kosovës. Kjo deklaratë ishte bërë gjatë një konference të përbashkët mes Ramës dhe homologut kosovar në atë kohë, Avdullah Hoti.
“Duke deklaruar se Porti i Durrësit do të jetë i Kosovës, Edi Rama vazhdon të punojë për krijimin e ‘Shqipërisë së Madhe’”, kishte deklaruar Vulin.
Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, më 12 maj nga Greqia nisi turneun me diasporën që synon mbledhjen e mbështetjes për Partinë e tij Socialiste.
Anëtarësime të reja në PS dhe investime në Shqipëri janë qëllime të deklaruara të Ramës. Takim të ngjashme do të zhvillojë edhe në Itali, Gjermani dhe Mbretëri të Bashkuar.
Takimi i Ramës në Greqi nxiti reagime edhe në disa media greke, të cilat e cilësuan si “provokim”, pasi, u realizua në njëvjetorin e rastit të Alfred Belerit. Ai u zgjodh kryetar i bashkisë së Himarës në zgjedhjet vendore të majit të vitit të kaluar si përfaqësues i një partie të minoritetit grek nën siglën e një partie opozitarë. Beleri u arrestua për blerje votash dhe u dënua për këtë akuzë./rel
Abdixhiku sjellë Pallatin e Ri Sportiv, Pishinën Olimpike dh...
Shuhet kureshtja, Diana dhe Arioni më të lumtur se kurrë pra...
Gjendet armë dhe 50 fishekë në valixhen e një pasagjeri në a...
Vëllaznimi shënon fitore të madhe në udhëtim tek Ylli
Gjendet pa shenja jete një 68-vjeçar në Vlorë, dyshohet se u...
NATO trajnon trupat ushtarake ukrainase në Lituani dhe Polon...