Kryeministri prej një kohe të gjatë i Bullgarisë Bojko Borisov së fundi kujtoi, që partia e tij „Qytetarë për një Zhvillim Europian të Bullgarisë” (GERB) më 2006 u pagëzua me ndihmën gjermane. Nuk është e qartë, se çfarë synonte ai me këtë referim. Por pikërisht edhe për hir të kësaj bashkëpërgjegjësie gjermane për situatën politike në Bullgari qeveri federale e Gjermanisë duhet ta shfrytëzojë presidencën e radhës në BE, për ta vënë në lëvizje qeverinë bullgare, që të pranojë përgjegjësinë që ajo ka për Europën. Ndërkohë qeveria bullgare po bën krejt të kundërtën – në një mënyrë tërësisht jo-europiane duke ushtruar presion ndaj vendit fqinjë, Maqedonisë së Veriut.
Kombi maqedonas, sipas Bullgarisë, duhet të pranojë që ka rrënjë bullgare dhe se maqedonishtja është një dialekt bullgar perëndimor. Meqënëse me të drejtë Maqedonia e Veriut refuzon ta bëjë këtë, Bullgaria po bllokon fillimin e bisedimeve të antarësimit mes Shkupit dhe BE-së.
Mund të druajmë, që me këtë fushatë kemi të bëjmë me një manovrim në politikën e brendshme. Sepse Bullgaria ka neglizhuar, që të realizojë detyrat e saj në luftën kundër korrupsionit dhe kriminalitetit. Ky është një problem dekadash. Që në fundin e vitit 2006 ishte e qartë, që antarësimi i Bullgarisë më 1 janar 2007 nuk do të ndryshonte asgjë në moçalin e korrupsionit dhe kriminalitetit, në të cilin ishte zhytur Bullgaria nën kryeministrin socialist Sergei Stanishev – njeriu, që ndërkohë prej shumë vitesh është kryetar i Partisë Socialdemokrate të Europës.
Në Perëndim po kërkohej një alternativë duke shpresuar, që veprimtarisë së një elite ekonomike dhe kriminale të krijuar kryesisht prej ish-shërbimit sekret komunist do t’i vihej fre me një parti të re. Por kjo deri më sot nuk ka ndodhur.
Partia GERB e Borissovit u krijua me ndihmën e fondacionit të afërt me partinë Kristiansociale gjermane, Hanns-Seidel-Stiftung (HSS) në Mynih. Emri i partisë, që me akronimin në bullgarisht do të thotë „emblemë”, ishte një shpikje e këshilltarëve të fondacionit HSS. Bavaria pati investuar shumë për reformimin e policisë bullgare duke krijuar lidhje të mira. Shpresohej, që Tsvetan Tsvetanov, asokohe krahu i djathtë i kryebashkiakut populist të Sofjes, Bojko Borisov, do të kujdesej për ligjin dhe rendin.
Rezultati pas njëmbëdhjetë vjetësh është modest. GERB është që nga viti 2009 pothuajse pa ndërprerje në pushtet. Tsvetanovi, i pështjelluar vet në korrupsion, nuk ndoqi rrugën, që shpresonte prej tij HSS. Elitat e reja janë të njëjtat, korrupsioni edhe në kontekstin e parave të BE-së lulëzon.
Prej muajsh qytetarët e Bullgarisë protestojnë kundër sistemit të Borisovit – kjo nuk i ka bërë aspak përshtypje qeverisë në Sofje. Megjithatë fitorja e GERB në zgjedhjet parlamentare marsin e vitit të ardhshëm nuk është e sigurtë. Borisovi, personalisht është i lodhur nga posti, por ai do të rezistojë deri në zgjedhje dhe t’i sigurojë pushtetin GERB-it.
Për ruajtjen e pushtetit Borisovit i duhet një aleat. Aleati aktual, partneri i koalicionit qeverisës janë „Patriotët e Bashkuar”, një aleancë e partive ultra-nacionaliste dhe ekstremiste të djathta nën drejtimin e ish-zëvendëskryeministrit Krassimir Karakatshanov, një ish-informator i Shërbimit Sekret komunist. Patriotët e Bashkuar kanë një elektorat të qëndrueshëm prej rreth 10 përqind. Ato luajnë një rol të ndjeshëm për qëndrimin në pushtet të GERB-it.
Ndaj janë në radhë të parë arsyet e politikës së brendshme dhe taktika elektorale, që kanë çuar në bllokadën e bisedimeve të antarësimit mes BE dhe Maqedonisë së Veriut. Pretendimi, që maqedonishtja është vetëm një dialekt i bullgarishtes, është absurd. Ashtu si bullgarishtja e sotme në mesin e shekullit të 19-të është krijuar prej dialekteve të ndryshme, edhe maqedonishtja pas Luftës së Dytë Botërore u standardizua mbi bazën e dialekteve. Maqedonishtja është një gjuhë e re kombëtare, por jo e vetmja e këtij lloji në Europë. Edhe norvegjishtja e sotme është standardizuar në shekullin e 20-të.
Kërkesa e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut është kryeneçësi dhe aspak me bazë shkencore – një sipërmarrje që kuptohet lehtë se është e motivuar prej politikës së brendshme. Mobbing-ut të Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut duhet t’i jepet fund.
Diplomatja dhe ish-ambasadore në disa vende, Gudrun Steinacker, ka qenë ndër të tjera në vitet 1991-1995 punonjëse e ambasadës gjermane në Norvegji. 2006-2009 ajo ka qenë zëvendësambasadore në Bullgari dhe ambasadore e Gjermanisë në Maqedoninë e Veriut në vitet 2011-2014.
Hasani takon homologun austriak, diskutojnë për lidhjen e fo...
Mustafa kujton babain Xhemailin, 24 vjet pas vrasjes: Ai ënd...
Në 24-vjetorin e vrasjes, Osmani kujton Xhemail Mustafën si ...
Ancelotti për Mbappen: Ai do të tregojë cilësitë e tij nesër
Çfarë është “Oreshnik”, raketa më e fuqishme që Rusia ka për...
Arrestohen 19 persona në Prizren, për bixhoz e skema piramid...