Tetovë, ndalesa për transport mund të hiqet

19:54 | 18 Maj 2020
Arbresh.info

Nga ana tjetër, derisa është duke zgjatur kjo ndalesë, qytetarët janë duke gjetur mënyra të ndryshme për të udhëtuar në Tetovë dhe anasjelltas , për të kryer obligimet e tyre nëpër institucione.

Gati se një muaj që kur hyri në fuqi vendimi që të ndalohet transporti publik i udhëtarëve nga komunat rurale për në Tetovë, janë shumë qytetarë të cilët çdo ditë duhet të gjejnë mënyra të ndryshme të udhëtojnë. Më vështirë e kanë ata që janë në punë sepse duhet që të gjejnë mënyrë për të arritur në vendin e punës dhe nuk kanë automjet të tyre. Nga shtabi i krizës në Tetovë thonë se janë duke shqyrtuar mundësitë që të anulohet ndalesa për transport publik. Kryetarja e komunës së Tetovës, Teuta Arifi, thotë se kanë dërguar kërkesë në qeveri që të hiqet vendimi për ndalim të transportit publik të udhëtarëve nga komunat e Pollogut për në Tetovë dhe nga Shkupi. Ajo shpreson kjo kërkesë do të pranohet ndërsa e njëjta është duke u shqyrtuar nga Komisioni për Sëmundje Infektive.

“Deri më tash asnjë masë apo ndalesë që është marrë nuk larguar tërësisht. Pra çdo lehtësim që bëhet ka edhe standarde se si të jetë më tutje. Mendoj se edhe në aspektin e ndalesës së transportit me komunat rurale edhe nëse pranohet kërkesa megjithatë do të ketë ndonjë rregull se si do të vazhdojë më tutje të zhvillohet transporti publik deri në largimin e të gjithave ndalesave. Mund të ketë kufizime të udhëtarëve që do të ketë në automjete dhe masat mbrojtëse. Këtë do ta vendos komisioni por mendoj se do të ketë ndonjë rregull se si do të zhvillohet më tutje trasporti publik me komunat tjera”, tha Teuta Arifi kryetare e komunës së Tetovës.

Krahas kësaj mase që është në fuqi, në Tetovë ka raste kur kjo masë edhe nuk respektohet dhe vërehen kryesisht furgon që bëjnë transport të udhëtarëve. Kryesisht janë transportues individual të cilët nuk respektojnë këtë ndalesë por gjithnjë kanë marrë paralajmërime nga ana e policisë. Nga policia e Tetovës thonë se deri më tash në shumë raste dhënë paralajmërime me shkrim për këta transportues të cilët nuk respektojnë ndalesën. Qeveria me propozim të komunës së Tetovës muajin e kaluar vendosi që të mos lejojë transportin publik të udhëtarëve nga komunat e Pollogut dhe Shkupi, masë kjo e cila tashmë respektohet nga të gjitha kompanitë që kanë licenca për të kryer transport të udhëtarëve për në Tetovë. Përfaqësues të kompanive të cilët kryejnë transport të udhëtarëve dhe kanë licenca për transport ndërkomunal, shprehen të gatshëm që të rifillojnë me punë.

Sipas tyre, duhet që kjo masë menjëherë të anulohet që të vazhdojnë të punojnë ngase kanë shumë humbje gjatë kësaj periudhe. Ata ende nuk e dinë se në çfarë mënyre do ketë lehtësime dhe thonë se janë të gatshëm që edhe me numër të reduktuar të udhëtarëve të punojnë. Poashtu, sipas tyre problem në vete është se tashmë kanë pësuar humbje të cilët vështirë se do të rikuperohen për një kohë më të gjatë. Nga ana tjetër, derisa është duke zgjatur kjo ndalesë, qytetarët janë duke gjetur mënyra të ndryshme për të udhëtuar në Tetovë dhe anasjelltas , për të kryer obligimet e tyre nëpër institucione. Më vështirë e kanë ata që duhet patjetër të lajmërohen në entin për punësim, ata që kanë probleme shëndetësore dhe duhet që të shkojnë në spital por nuk kanë mjet transportues. Shpresat e qytetarëve por edhe të transportuesve janë se shumë shpejt kjo masë do të lehtësohet.(koha.mk)

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme