Tetovë: Anesteziologu “tiktoker” do të mbetet pa licencë

23:31 | 19 Prill 2023
E.H

Oda e Mjekëve në Maqedoninë Veriore javën e ardhshme do të vendosë se për sa kohë do t’i merret licenca anesteziologut nga Tetova i cili në Tiktok ka transmetuar drejtpërdrejtë nga hapësirat ku ndodheshin gratë shtatzëna në Spitalin e Tetovës.

Sipas Ministrit të Shëndetësisë atje, Fatmir Mexhiti, gjasat janë që derisa do zgjasë procedura gjyqësore, atij do t’i merret licenca për 7 vjet, ndërsa pas përfundimit të procesit gjyqësor anesteziologut mund t’i merret licenca përjetësisht.

Dje zyrtarisht, ministri Mexhiti shkarkoi drejtorin organizativ të Spitalit të Tetovës, Armend Fazliu, me arsyetimin se ditën kur ka ndodhur rasti ai nuk ka qenë në vendin e tij të punës, shkruan alsat.mk

Ministri madje tha se nuk përjashtohet mundësia që institucionet shëndetësore të mos kenë drejtorë organizativ fare.

Ndryshe, anesteziologu Valton Dervishi ndodhet në paraburgim që kur drejtori i Spitalit të Tetovës e denoncoi në polici, pasi kishte transmetuar drejtpërdrejtë në “Tik Tok” pacientë në kirurgji.

Dervishi ngarkohet për dy vepra penale, “punë të pandërgjegjshme” dhe “Incizim të pa autorizuar” .

Sipas Kodit Penal, personi zyrtar për punë të pandërgjegjshme rrezikon burg nga tre muaj deri në 5 vjet, ndërsa për veprën “incizim i pa autorizuar” nga personi zyrtar parashikohet dënimi me të paktën 3 vjet burg.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme