Tentativë e re për “rrëzimin” e Mickoskit! Do të organizohet Kongres i jashtëzakonshëm

20:06 | 10 Shkurt 2021
Arbresh.info

Ish-anëtarë të VMRO-DPMNE-së, por edhe kryetarë komune aktualë, përmes Bordit Iniciues caktuan Kongres të jashtëzakonshëm të VMRO-DPMNE-së.

Kongresi do të mbahet më 28 mars në Shkup, i cili paraqet një tentativë tjetër për zëvendësim të liderit partiak, Hristijan Mickoski. Siç thonë nga Bordi, delegatët konsiderojnë se është e palejueshme që kryetari, të cilit i është dhënë besim, të mos thërrasë një kongres dhe të mos tentojnë t’i shpjegojë arsyet për dështimet e zgjedhjeve dhe rejtingun katastrofal.

“As kohërat nuk janë të rregullta, e as situata në të cilën është partia dhe shteti është e rregullt, prandaj është e nevojshme të ketë kongres të jashtëzakonshëm. VMRO-DPMNE-ja gjithmonë ka qenë shtyllë e cila ka mbrojtur Maqedoninë dhe interesat e qytetarëve që jetojnë në vend”, thonë nga Bordi Iniciues.

Sipas Antonijo Milloshoskit, ky kongres nuk është statutor dhe nuk ka bazë ligjore.

“Kjo është një nismë qytetare nga një grup njerëzish që synojnë t’i ndihmojnë Zaevit dhe t’i gjuajnë një litar shpëtimi. Në momente kur shteti është një regjim hibrid, shtet më i korruptuar në Evropë, 0 vaksina, 3 mijë viktima, 55 mijë të papunë të rinj dhe shumë kompani të mbyllura me shumicën e tij, ky grup po tenton ta relativizojë këtë dhe Zaevi i cili për momentin në Kuvend qëndron në “këmbë qelqi”, të mund ta defokusojë opinionin publik, të merret me tema anësore në opozitë”, deklaroi Antonijo Milloshoski nga VMRO-DPMNE.

Para disa ditësh, në emisionin “Klik Plus”, kryetari aktual i Kavadarit, Mitko Jançev, i cili në vitin 2018 ishte përjashtuar nga VMRO-DPMNE-ja, paralajmëroi se do ta mbështesë Kongresin për ndërrim të Mickoskit.

“Jam në kontakt me pothuajse të gjithë anëtarët – me anëtarët e mëparshëm dhe aktualë në nivel më të lartë. Kam kontakte, më besoni se ka njerëz të cilët për VMRO-DPMNE-në mendojnë objektivisht. Partia ka rëndësi të madhe për ta, jo në bazë personale, por në bazë të ndërtimit të një politike të mirë në vend dhe kanë shqetësim sa i takon udheheqësisë së partisë. Kontakte vendos edhe me atë që ju e quani “Koalicioni Meriot”. Unë e di se ata duan të shkojnë me opsionin të ketë Kongres të parakohshëm. Kështu që, në qoftë se ndodhë kjo dhe nëse kongresi është legjitim dhe i bazuar në ligj, unë do ta mbështes”, deklaroi Mitko Jançev – Kryetar i Kavadarit.

Anëtarë të Bordit Iniciues janë ish-kryetari i Dojranit, Borçe Stamov, ish-kryetari i Butelit, Petre Llatinovski, i Aerodromit, Ivica Konevski, pastaj Filip Petrovski, si dhe disa anëtarë të tjerë të partisë opozitare./tv21

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme