Tensionet e muajve të fundit në Mal të Zi mund të jenë jashtëzakonisht të rrezikshme, ndërsa incidentet me motive politike dhe nacionaliste janë thellësisht shqetësuese, thotë Kurt Bassuener, nga organizata ndërkombëtare Këshilli për Politikën e Demokratizimit.
Judy Dempsey, nga Qendra Carnegie Europe, thotë se tensionet dhe incidentet aktuale në Mal të Zi mund ta kthejnë këtë vend prapa në rrugën kah Bashkimi Evropian, gjë të cilën Rusia, “përmes strukturës qeverisëse në Mal të Zi, do ta shfrytëzojë”.
Tensionet në Mal të Zi janë intensifikuar qysh nga koha e zgjedhjeve parlamentare të gushtit, me të cilat, pas tri dekadash, është ndërruar edhe pushteti.
Partinë Demokratike të Socialistëve (DPS) dhe partitë pro-malazeze i ka zëvendësuar një koalicion i udhëhequr nga Fronti Demokratik pro-serb, në përbërje të të cilit janë edhe Demokratët dhe lëvizja qytetare URA.
Pakicat kanë qenë dhe mbeten me DPS-në për vite me radhë.
Dempsey thotë se të dyja organizatat, NATO-ja dhe BE-ja, duhet të emërojnë të dërguar të posaçëm në Mal të Zi, të cilët do të ndërmjetësonin.
Bassuener konsideron se Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO-ja kanë përgjegjësi për të ndihmuar në zgjidhjen e tensioneve dhe incidenteve në Mal të Zi.
Ai thotë se askujt nuk i duhen më konflikte në Ballkanin Perëndimor.
Sipas Dempseyt, BE-ja nuk është veçanërisht e mirë në menaxhimin e krizave.
“BE, nëse është serioze në lidhje me integrimin e Malit të Zi, duhet të jetë më e zëshme dhe më praktike. Duhet të investojë në infrastrukturë, në arsim, në media. Mbi të gjitha, duhet të inkurajohet shoqëria civile në nivel lokal”.
“Rusia do të vazhdojë t’i përdorë strukturat aktuale politike për të devijuar rrugën e Malit të Zi drejt BE-së. Sa i përket NATO-s, ajo duhet të jetë më aktive në terren, përmes stërvitjeve, komunikimit dhe përfshirjes më të afërt në institucione dhe shoqëri civile”, thotë Dempsey.
Cilat janë shkaqet e ndryshimeve që kanë rezultuar në tensione?
Bassuener thotë se pakënaqësia e qytetarëve malazezë me ndjenjën e padrejtësisë shoqërore dhe me korrupsionin e përhapur ka rezultuar me humbjen zgjedhore të koalicionit pro-perëndimor, të udhëhequr nga DPS-ja e Gjukanoviqit, në gusht të vitit 2020.
Ai thotë se Qeveria malazeze, e udhëhequr nga DPS-ja, ka ngecur politikisht për vite me radhë.
“Qytetarët e pakënaqur kanë protestuar, kanë tërhequr vëmendjen për mangësitë e sistemit, që, në një anë, kanë çuar edhe në ndryshimin e pushtetit. Në anën tjetër, mendoj se ata që kanë dashur ndryshimin e pushtetit, kanë nënvlerësuar anën e mundshme negative, përkatësisht sa shpejt mund të zhvendoset fokusi politik, dhe gjërat kanë shkuar në një drejtim të papritur dhe të padëshirueshëm”, thotë Bassuener.
Sipas tij, edhe pse është dukur se shumica e qytetarëve në Mal të Zi e mbështesin shtetësinë malazeze, identitetin dhe multietnicitetin, gjërat e tilla nuk janë ende të rrënjosura ashtu siç kanë besuar vëzhguesit vendas dhe të huaj.
“Gjithë kësaj mund t’i shtohet edhe konteksti rajonal – ndjenja sikur nuk ka rregulla, pastaj sfidat gjeopolitike, joefikasiteti dhe pasiviteti i vendeve perëndimore, rishfaqja e programeve nga vitet 1990 dhe ndërhyrja e Serbisë. Situata aktuale në Mal të Zi futet në këtë kornizë”, thotë Bassuener.
Mali i Zi i ka nisur negociatat për anëtarësim në BE në vitin 2012, ndërsa është bërë vend anëtar i NATO-s më 2017.
Një pjesë të përgjegjësisë për situatën në Mal të Zi e bart politika aktuale e BE-së dhe NATO-s
Bassuener thotë se nuk është i befasuar që një vend anëtar i NATO-s, që është edhe në rrugë drejt BE-së, përballet me tensione nacionaliste në shoqëri.
“Ngecja në rrugën drejt BE-së nuk është precedent. Një pjesë e problemit është se edhe BE-ja, edhe NATO-ja u kanë dhënë përparësi marrëdhënieve me krerët e mëparshëm të shteteve, përballë asaj që duhet vlerësuar me të vërtetë, kur bëhet fjalë për përparimin kah integrimet. Udhëheqësit e të gjitha shteteve të Ballkanit Perëndimor, duke përfshirë natyrisht edhe Malin e Zi, e kanë shfrytëzuar këtë lëshim. Zhvillimet në Mal të Zi tregojnë se asgjë nuk mund të ndodhë automatikisht kur bëhet fjalë për përparimin”, thotë Bassuener.
Bassuener thotë se bashkësia ndërkombëtare i ka lejuar qeveritë e rajonit të udhëheqin politikën siç duan vetë, pa u bërë me dije se NATO-ja dhe BE-ja kanë përgjegjësi ligjore, por edhe morale, për të siguruar që të mos ketë konflikte të dhunshme ose aspirata për ndryshimin e kufijve.
“Non-paperi slloven, pavarësisht se nga vjen, tregon se ka ende dyshime për kufijtë aktualë dhe sovranitetin shtetëror. Programet e njëjta kanë qenë atje edhe para 15 vjetësh. Ato janë si infektimet me herpes – shfaqen kur imuniteti është i dobët”, thotë Bassuener.
I pyetur se si mund të ndihmojë bashkësia ndërkombëtare në parandalimin e konflikteve dhe uljen e tensioneve, Bassuener thotë se ajo duhet ta bëjë me dije se konfliktet, dhuna ose përpjekjet për ndryshim kufijsh, nuk do të lejohen.
“Kjo, më herët, është marrë si e mirëqenë. Kina dhe Rusia nuk kanë lidhje me zhvillimet aktuale (edhe pse përfitojnë nga to). Por, fakti që i kemi lënë këto çështje të hapura për kohë shumë të gjatë, më shumë se një dekadë, tregon joseriozitet”, thotë Bassuener.
Sipas tij, BE-ja, SHBA-ja, Mbretëria e Bashkuar dhe aleatët e tjerë duhet të angazhohen në një rishikim të thellë strategjik të mënyrës se si i janë qasur Ballkanit Perëndimor, marrë parasysh se politika që ata kanë ndjekur, ka dështuar.
“Edhe pse dua t’i shoh të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor në BE, unë dua që ato të nisin të punojnë si demokraci funksionale liberale. Fakti se (kryeministri hungarez, Viktor) Orban brohorit për zgjerimin (nisur me Serbinë si udhëheqëse), është një tregues mjaft i qartë se ky proces e ka humbur rrugën”, thotë Bassuener./REL/
Miratohet në parim Projektligji për Lojërat Mesdhetare
Drin Ejupi i bashkohet listës së PDK-së për zgjedhjet e 9 sh...
Sot pritet të rikthehet furnizimi me ujë të pijes në Mitrovi...
Driloni-banorëve: Drenusha është ‘bossi’ i shtëpisë, ju jeni...
Vetëplagoset një 45-vjeçar në Lezhë
Situata në Ibër Lepenc, Rizvanolli: Mund të ketë reduktime t...