Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, kanë bërë të ditur se gjatë ditës së premte (20 gusht), pritet të arrijë grupi i parë i qytetarëve nga Afganistani, duke theksuar se koha e saktë e arritjes së tyre, do të varet nga rrethanat në aeroportin e Kabulit.
“Unë pres, nëse gjithçka shkon sipas planit dhe informacioneve që kam, nesër të arrijnë qytetarët e parë (nga Afganistani) po edhe gjatë fundjavës, për strehim këtu”, ka bërë të ditur të enjten në një konferencë për media kryeministri, Zoran Zaev.
Ai edhe një herë ka nënvizuar se të gjithë qytetarët duhet të jenë krenarë, pasi Maqedonia e Veriut është nga shtetet e para që iu bashkua Shteteve të Bashkuara të Amerikës, për t’iu përgjigjur në thirrjen e tyre për strehim të afganëve, pasi Afganistani ra në duart e talibanëve.
“Pritet të arrijnë më shumë fluturime. Por, ajo që deri më tani e kemi të konfirmuar, pritet të arrijnë rreth 450 afganë, mund të paraqiten edhe 50, 70 a 90 persona të tjerë. Ashtu siç do të marrim konfirmim, këtë informacion do ta ndajmë me opinionin”, ka theksuar për mediat, kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev.
Transporti i afganëve drejt Maqedonisë së Veriut, bëhet nën organizimin e SHBA-së dhe organizatave ndërkombëtare, te të cilat këta persona kanë qenë të angazhuar.
Autoritetet qeveritare kanë theksuar se strehimi i afganëve është për një kohë të caktuar, pasi ata, pas përgatitjes së dokumentacionit, do të udhëtojnë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës ose në vende të tjera si destinacioni i tyre përfundimtar, megjithëse nuk kanë bërë të ditur se për sa kohë saktësisht bëhet fjalë. Ndërkohë nga Komiteti i Helsinkit në Shkup, apeluan te politikanët, që krizën afgane të mos e përdorin për qëllime të caktuara politike dhe të mos nxisin ndjenja ksenofobe te qytetarët, tani që vendi është në prag të zgjedhjeve lokale.
“U bëjmë thirrje mediave dhe veçanërisht politikanëve që mos të nxisin ndjenja ksenofobie te qytetarët për arritjen e qëllimeve të caktuara”, theksohet veç tjerash në reagimin e Komitetit të Helsinkit, ku nënvizohet që afganët janë të detyruar të largohen nga shtëpitë e tyre, si rrjedhojë e kërcënimeve me vdekje për ta dhe familjet e tyre.
Partia opozitare maqedonase, OBRM-PDUKM ka kundërshtuar ashpër vendimin e qeverisë për pranimin e afganëve, jeta e të cilëve është e rrezikuar nga talibanët, pasi kanë bashkëpunuar me Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Ish-ministri i Punëve të Brendshme, Pavle Trajanov hedh poshtë çdo mundësi që afganët të paraqesin çfarëdo lloj rreziku për sigurinë e Maqedonisë së Veriut si shtet.
Trajanov thotë për Radion Evropa e Lirë se është i pakuptimtë qëndrimi i opozitës maqedonase VMRO-DPMNE që vendi nuk disponon me kapacitetet e nevojshme për të strehuar afganët, gjersa ata të transferohen në vendet e treta.
“Kërcënim për sigurinë e vendit nuk ka, pra asnjë rrezik nuk paraqet ardhja e afganëve në Maqedoninë e Veriut, pasi ata këtu vijnë përmes rrugëve legale në bazë të një liste me të gjitha të dhënat, me dokumente udhëtimi dhe dokumente të tjera, pra saktë dihet struktura e tyre. Tani a do të ketë ndonjë problem për sa i përket sigurisë, nëse autoritet talibane do të kërkojnë që të kthehet në Afganistan ndonjë nga ata që është strehuar këtu për t’u gjykuar, do të varet nga ajo se si do të zhvillohen ngjarjet në të ardhmen”, thotë Trajanov.
Nga ana tjetër, Ismet Ramadani kryetar i Këshillit Veri Atlantik në Shkup thotë se faktori ndërkombëtar i ka të njohura kapacitetet e vendit dhe nuk do ta ngarkojë shtetin me më shumë obligime seç mund të bartë për sa i përket numrit të afganëve që do të strehohen në Maqedoninë e Veriut.
“Unë jam i bindur se NATO dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës nuk kërkojnë më shumë nga Maqedonia e Veriut nga kapacitete me të cilat ajo disponon për sa i përket pranimit të refugjatëve afganë. Aq më tepër se roli i Maqedonisë së Veriut është të qenit një vend tranzitor kështu që nuk ka pse mos rreshtohemi përkrah vendeve të aleancës”, thotë Ramadani.
Autoritetet zyrtare të Maqedonisë së Veriut, në vazhdimësi kanë dematur reagimet se vendin e pret valë e re e emigrantëve nga Afganistani, njëherësh kanë theksuar se Maqedonia e Veriut, është pjesë e një operacioni të madh humanitar global, për të shpëtuar popullatën paqësore afgane në rrezik nga strukturat ekstremiste talibane./REL/
SHBA do të rrisë prodhimin e raketave
Barcelona mbetet sërish pa Torresin
Kushtetuesja shtyn për janar shqyrtimin e kërkesës së ish-kr...
“Mua më pëlqen është çikë e mirë”, Driloni flet me Rovenën p...
Rama vijon traditën, ndan medalje ari për 188 nxënësit eksel...
Izraeli konfirmon për herë të parë vrasjen e liderit të Hama...