Marrëveshja e mundshme VMRO-DPMNE dhe VLEN mund të arrihet të premten e ardhshme. Nga e hëna grupet e punës do të saktësojnë negociatat në ndarje të resorëve. Për momentin nuk dihet numri i resorëve dhe emrat e kuadrove që do të udhëheqin me ato.
Taravari i çoi të fala edhe kryetarit të Gjykatës Administrative, Burim Sejdini për të cilin tha se ka informacione se po ushtron presion ndaj gjykatësve, duke i kujtuar se pas 15 qershorit do të mban përgjegjësi për veprimet e tij.
“Unë besoj se javën e ardhshme do të përfundojnë negociatat. Ekipet punojnë intensivisht për programin qeveritar, por njëkohësisht besoj se prej ditës së hënë do të fillojë edhe ndarja e resorëve. Tash për tash është një atmosferë shumë pozitive, ka kuptueshmëri nga të dyja anët dhe unë jam shumë optimist se deri të premten, do ta kemi marrëveshjen finale për qeverisjen e ardhshme”, deklaroi Arben Taravari, VLEN.
Por Fronti Evropian duket se akoma nuk pajtohet me realitetin. Sipas Bujar Osmanit, mandatari për formimin e Qeverisë së re duhet të ketë parasysh se kush e përfaqëson legjitimitetin e shqiptarëve.
“Unë mendoj se mandatari e ka për detyrë të përfaqësojë edhe etninë e dytë më të madhe në vend. Mandatari e ka për detyrë ta respektojë marrëveshjen bazë mes popullit maqedonas dhe shqiptar se bashku do të vendosim dhe bashkë do ta drejtojmë këtë shtet. Ajo marrëveshje mund të prishet megjithatë mendoj se shteti nuk e ka atë luks për të hapur ashtu temash etnike sepse ata tema kanë ashtu gravitet që të mos lënë hapësirë për asnjë temë tjetër”, tha Bujar Osmani, BDI.
Ndaj deklaratës së Osmanit, ka reaguar Zeqirija Ibrahimi nga koalicioni VLEN. Në reagimin e tij Ibrahimi ka deklaruar se pakicat brenda Frontit Evropian nuk përfaqësojnë legjitimitetin e shqiptarëve.
“Legjitimitetin e përfaqësimit të shqiptarëve e japin shqiptarët e jo komunitetet jo shumicë. Komunitetet jo shumicë e përfaqësojnë veten e tyre. Prandaj, shkoni në opozitë dhe mësohuni se nuk mund të thirreni në marrëveshjet që vetë i keni shkelur dhe nuk mund të thirreni në legjitimitetin e shqiptarëve kur keni ikur nga gara shqiptare”, u shpreh Zeqirija Ibrahimi, VLEN.
Ditë më parë kryetari i VMRO-DPMNE-së, Hristijan Mickoski deklaroi se ka siguruar shumicë prej 61 mandatesh, por pa dhënë më shumë detaje se nga cili subjekt apo koalicion i ka siguruar mandatet. Ai tha se do të pret certifikimin e rezultateve zgjedhore dhe më pas do të bën publik emrat e deputetëve që do t’i bashkohen VMRO-DPMNE-së.
Se ka negociata edhe me deputet nga Fronti Evropian, këtë e ka konfirmuar edhe kryetari i Lëvizjes Demokratike, Izet Mexhiti duke shtuar se disa deputetë nga Fronti Evropian mund të shkëputen nga koalicionit me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti. /Alsat.mk
Arsenali e ka gjetur tek Bayern Munich lojtarin i cili mund ...
Libani dëbon rreth 70 oficerë dhe ushtarë sirianë
Supa e cila eliminon helmet dhe yndyrat nga trupi: Racion i ...
Për herë të parë, ShBA furnizon Ukrainën me gaz amerikan
Murtaja afrikane/ Autoriteti i Veterinarisë asgjëson sipas p...
Si ndikon gjumi në sistemin imunitar?