Taravari: Gjasat për koalicionim trepalësh po zvogëlohen

21:51 | 18 Janar 2020
Arbresh.info

Po zvogëlohen shanset për ta bërë realitet koalicionin trepalësh mes Aleancës për Shqiptarët, Lëvizjes Besa dhe Alternativës.

Këtë për “TV21” e pohon Sekretari i përgjithshëm ASH-së Arben Taravari, duke shtuar se po përpiqen të amortizojnë problemet mes palëve, edhe pse kjo është bërë e vështirë.

“Unë me sa e shoh probabiliteti dhe gjasat për këtë koalicionim trepalësh po zvogëlohen. Gjasat për t’u ulur tre palët bashkë, nuk është e mundshme.

Së shpejti, ma merr mendja për disa ditë ne si kryesi qendrore duhet të ulemi dhe të sjellim vendimet përfundimtare të ASH-së se si do të vazhdohet më tutje”, i tha Arben Taravari.

Nga Lëvizja Besa, sekretari gjeneral Arjanit Hoxha siguron se ata në asnjë moment nuk janë pengesë e koalicionit trepalësh.

“Lëvizja Besa ka vendim të Kryesisë Qendrore ku ka pranuar ofertën e ASH-së për t’i dhënë mundësi fillimit të bisedimeve për një koalicion trepalësh. ASH si iniciatore e kësaj nisme duhet të tregojë se cilat janë pengesat për mos realizimin e takimit trepalësh, ne ju garantojmë se Lëvizja Besa nuk është pengesë”, pohoi Arianit Hoxha nga Lëvizja Besa.

Në fakt, ngërçi që po pamundëson realizimin e këtij koalicioni trepartiak është këmbëngulja e Alternativës për të mos ulur në tryezë bisedimesh me Lëvizjen Besa, për, siç thonë, arsye parimore.

“Ne mbetemi në qëndrim që koalicioni Alternativa-Aleanca, do të ishte koalicioni fitues i këtyre zgjedhjeve dhe që është më e rëndësishme do të ishte koalicioni më i qëndrueshëm edhe pas zgjedhjeve, pasi që nga koalicioni trepalësh që ju e përmendni , kjo pjesa e qëndrueshmërisë do të zbehej pas zgjedhjeve pikërisht nga partneri i tretë hipotetik i këtij koalicioni, prijësit e të cilit janë të prirur për lëkundje të tilla joparimore”, tha Skender Rexhepi nga Alternativa./TV21/

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme