Google ADS

Spasovski: Procesi i identifikimi të viktimave mund të përfundojë pas 7 ditësh

00:55 | 25 Nëntor 2021
A. B.

Ministri i Punëve të Brendshme të Maqedonisë së Veriut, Oliver Spasovski në një intervistë për televizioni kroat, RTL dhe atë malazez, RTCG ka theksuar se identifikimi i viktimave nga aksidenti tragjik në Bullgari pritet të mbarojë pas 7 ditëve.

Spasovski ka deklaruar se autoritetet vendase marrin pjesë në proces duke siguruar materialin biologjik nga familjarët e viktimave.

“Identifikimi i të vdekurve ka filluar dhe ekipet e përbashkëta të instituteve të mjekësisë ligjore nga Republika e Maqedonisë së Veriut dhe Republika e Bullgarisë janë duke punuar, ku pala maqedonase merr pjesë në sigurimin e materialit të ADN-së nga familjarët e të vdekurve. Sipas njoftimeve të autoriteteve bullgare, i gjithë procesi mund të përfundojë për 7 ditë, pas së cilës do të transferohen eshtrat e viktimave”, ka deklaruar mes tjerash Spasovski.

Spasovski në intervistë ka folur edhe për kompaninë turistike, autobusi i së cilës është aksidentuar.

“Informatat zyrtare janë se sot ministri i Transportit dhe Lidhjeve, Blagoj Boçvarski ka nënshkruar heqjen e licencës për punë të transportuesit Besa-Trans”, ka thënë mes tjerash Spasovski.

Një autobus i kompanisë “Besa trans” nga Shkupi, me udhëtarë kryesisht shqiptarë, dje është rrokullisur dhe ka marrë flakë në Bullgari, teksa ka qenë duke kthyer në vend turistë që kanë qenë për fundjavë në Stamboll të Turqisë. Në aksident jetën e kanë humbur 46 persona dhe janë lënduar 7 të tjerë. Në mesin e viktimave janë edhe 12 fëmijë. /TV21/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme