Spajiq shpallet mandatar për formim të Qeverisë në Mal të Zi

14:23 | 10 Gusht 2023
E.G

Presidenti i Malit të Zi, Jakov Millatoviq e ka zgjedhur liderin e partisë Evropa Tani, Millojko Spajiq si mandatar për kryeministër dhe formim të Qeverisë së re.

Ai e ka marrë këtë vendim dy muaj pas mbajtjes së zgjedhjeve të përgjithshme në këtë shtet.

Spajiq i ka tani 90 ditë për të formuar koalicion dhe për ta formuar Qeverinë.

“Pres përgjegjësi dhe përshtatshmëri nga Spajiq, dhe të gjithë aktorët politikë që marrin pjesë në negociatat për formim të Qeverisë”, ka thënë Millatoviq.

“Besoj se në këtë moment, Mali i Zi ka nevojë për Qeveri stabile, të pandarë nga profili evropian”.

Partia Evropa Tani ka dalë e para në zgjedhjet parlamentare të qershorit.

Përbërja e Qeverisë në ardhje do të ofrojë një pasqyrë të asaj se kah do të drejtohet ky vend, ndonëse vazhdimisht përmendet synimi për anëtarësim në Bashkimin Evropian.

Zgjedhjet e qershorit janë mbajtur vetëm disa muaj pasi udhëheqësia politike e Malit të Zi është goditur nga humbja e ish-presidentit Millo Gjukanoviq në rundin e dytë të zgjedhjeve presidenciale të prillit.

Prej formimit të saj më 2022, partia Evropa Tani është zotuar për të çuar përpara platformën pro evropiane dhe është zotuar për rritje të pagave e kryerje të reformave./rel

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme