Google ADS

Sondazh i IRI-t për Maqedoninë e Veriut, rritet mbështetja për BE-në, bie besimi tek gjyqësori

21:53 | 10 Korrik 2023
Orgesa Haziri

Një anketë publike e Institutit Republikan Amerikan për Maqedoninë e Veriut e realizuar në muajt e fundit tregon rritjen e mbështetjes për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Evropian, por një nivel të ulët besimi të qytetarëve në sundimin e ligjit si dhe ndarje lidhur me drejtimin e vendit si në aspektin lokal edhe në atë kombëtar.

Çështjet të cilat më së shumti i preokupojnë qytetarët e këtij vendi janë varfëria, standardi i ulët i jetesës, problemet e përditshme, çmimet e larta dhe gjendja e vështirësuar ekonomike.

Paul McCarthy, Drejtor i IRI-t për Evropën u shpreh se “rritja e mbështetjes për anëtarësimin në BE paraqet një tregues se institucionet perëndimore ofrojnë shpresë për një të ardhme të suksesshme dhe se qyetarët e Maqedonisë së Veriut e shikojnë integrimin në bllokun demokratik siç është BE-ja si një çelës drejt paqes dhe mirëqenies”.

Sipas sondazhit, 79% e të anketuarve i janë përgjigjur pozitivisht pyetjes nëse “e mbështesin integrimin e Maqedonisë së Veriut në BE”. Kjo paraqet një rritje prej 6% më tepër sesa sondazhi i realizuar tetorin e vitit të kaluar.

Por, besimi vazhdon të jetë i ulët në sundimin e ligjit.

Vetëm 31% e të anketurave janë përgjigjur se ligji zbatohet në mënyrë të barabartë për të gjithë në Maqedoninë e Veriut, një nivel i besueshmërisë më i ulët ndonjëherë, teksa 65% mendojnë se sundimi i ligjit nuk po zbatohet.

“Kjo gjë duhet të shqyrtohet nga drejtuesit politikë në Shkup nëse ata duan ta rrisin besimin tek qeveria dhe tek institucionet politike”, është shprehur drejtori McCarthy.

Sa i takon ndarjeve rreth mënyrës së drejtimit të pushtetit lokal apo të shtetit, 28% e të anketuarve ndiejnë se komuna e tyre po shkon në një drejtim të duhur, ndërkohë që vetëm 14% besojnë kështu për drejtimin e shtetit.

Anketa e realizuar nga Qendra për Hulumtime të Opinionit publik – Gallup nga data 8 prill deri më 4 maj të këtij viti, për llogari të IRI-t amerikan vë në dukje se me gjithë rritjen e mbështetjes pro-anëtarësimit, mendimet janë pothuajse të njejta midis optimistëve dhe pesimistëve kur shtrohet pyetja se kur Maqedonia e Veriut mund të bëhet anëtare e BE-së. 49% shpresojnë se kjo do të ndodh brenda dhjetë vjetësh, ndërsa 45% mendojnë se kjo do të zgjasë më tepër se dhjetë vjet apo se nuk do të ketë asnjëherë anëtarësim të vendit në Bllok.

Ndërkaq, lidhur me ndihmat që i jepen këtij vendi, një e katërta e të anketuarve vlerësojnë se më shumë ndihma jep Turqia, më pas vjen BE-ja me 18%, ndërsa për Gjermaninë mendojnë 13% dhe për SHBA-të vetëm 11%.

Qytetarët e Maqedonisë së Veriut më së shumti u besojnë bankave (55%), ndërsa 48% medias dhe institucioneve arsimore dhe më pas radhitet policia me 47%. Tek qeveria kanë besim 25% e të anketuarve; opozitës i besojnë 32%. Gjyqësorit i beson vetëm 1%, ndërsa pjesërisht i besojnë 18%.

Sa i takon anëtarëve të qeverisë, Ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski “gëzon’ më tepër besim tek të anketuarit, respektivisht 12%, ndërkohë që 51% vlerësojnë se asnjë ministër nuk e kryen punën siç duhet.

Ndër politikanët, Presidentit Stevo Pendarovski i besojnë më së shumti, 38%; pas tij vjen ish-kryeministri Nikolla Gruevski me 30%, pothuaj aq sa edhe drejtuesi aktual opozitar, Hristijan Mickovski (29%).
Kryeministri Dimitar Kovaçevski ka mbështetjen prej 25% të të anketuarve, ndërsa Ali Ahmeti i BDI-së, 16%./VOA/

Të ngjashme