Google ADS

Sllovenët paguhen tre herë më shumë se maqedonasit

00:56 | 15 Gusht 2017
Trina Galanxhi

Nga gjashtë vendet e ish-Jugosllavisë, Maqedonia, Bosnja e Hercegovina dhe Kosova jo vetëm që kanë paga më të ulëta në rajon, por njëherësh përbëjnë dhe numrin më të madh të papunëve. 

Këto janë të dhënat më të fundit të dala nga Agjencia e Statistikave të Komuniteteve Evropiane (EUROSTAT), sipas të cilës, rroga më e lartë mesatare e paguar në muajin maj në vendet e rajonit, sipas të dhënave zyrtare, është paguar në Slloveni në vlerë të përgjithshme prej 1050 euro, ndërsa rrogë më të ulët mesatare nga vendet e rajonit gjatë muajit maj kanë marrë të punësuarit në Maqedoni në vlerë prej 372 euro ose 22.889 denarë. Njëkohësisht, rroga mestarë në muajin maj në Kroaci ka shënuar vlerën 813 euro, në Mal të Zi 510 euro, në Bosnje 439 euro. Në Serbi, rroga mesatare e paguar në muajin maj ka shënuar vlerën prej 409, ndërsa në Kosovë – rroga mesatare për punonjësit në institucionet publike në muajin maj është paguar në vlerën prej 429 euro, derisa në sektorin privat paga mesatare e paguar në mujuan maj kap shifrën prej 349 euro.

Ndërkaq sa i përket rritjes së rrogës mesatare në vendet e rajonit krahasuar me vitin e kaluar, rritje më të lartë ka pasur për punonjësit në Serbi dhe për periudhë një vjeçare – rroga mesatare është rritur për 39.93 euro, ndërsa në Slloveni rritja ka qenë 30.38 euro. Rritje më të ulët të rrogës mesatare gjatë vitit 2016 ka pasur për punonjësit e Bosnjës dhe ta për 11.71 euro, ndërsa rritje më të ulët të rrogave vitin e kaluar ka pasur Maqedonia dhe atë në vlerë prej 9 euro për periudhë njëvjeçare. Rrogë më të lartë mesatare gjatë viti 2016 kanë marrë punonjësit sllovenë në vlerë prej 1020 euro, në Kroaci rroga mesatare ka arritur vlerën 749 euro, në Mal të Zi rroga mesatare në vitin 2016 ka qenë 503 euro, në Bosnje 428 euro, Kosovë 426 euro në sektorin publik, në Serbi 369 euro dhe rroga më e ulët mesatare është paguar në Maqedoni në vlerë prej 363 euro. Ndërkohë, rrogë më të ulët minimale në vendet e rajonit marrin punonjësit në Kosovë në vlerë prej 130 euro, ndërsa rroga më të larta mesatare paguan Sllovenia në vlerë prej 805 euro. Në Kroaci, rroga minimale kap vlerën prej 433 euro, Mal të Zi 288 euro, Serbi 250 euro dhe Maqedoni 231 euro.

Njëherësh, sipas të dhënave të fundit të EUROSTAT-it, Kosova, Bosnja dhe Maqedonia kanë shkallë më të lartë të papunësisë. Numri i të papunëve në Kosovë në vitin 2016 ka qenë 28.7 për qind, në Bosnje 25.4 për qind, ndërsa në Maqedoni – numri i të papunëve kap shifrën prej 22.9 për qind. “Maqedonia, Kosova dhe Bosnja në fushën e punësimit qëndrojnë shumë keq me vendet e rajonit dhe pikërisht në këto shtetet e ish-Jugosllavisë ka ikje më të madhe jashtë vendit tek të rinjtë dhe qytetarët të arsimuar për shkak se me vite nuk arrijnë të gjejnë një vend pune”, thuhet raportin e fundit të EUROSTAT-it.

Në Mal të Zi, numri i të papunëve ka qene 16.9 për qind, në Serbi numri i të papunëve në vitin 2016 ka shënuar shifër prej 13 për qind, në Kroaci gjatë viti 2016 si të papunë janë regjistruar 11.7 për qind dhe në Slloveni – të papunë janë të regjistruar vetëm 8 për qind. Ndryshe, përveç pagës mesatare mujore bruto në sektorin shtetëror – përllogaritet edhe paga mesatare mujore bruto për një të punësuar. Kjo pagë mesatare llogaritet si raporti i pagës dhe trajtimeve mujore me numrin e të punësuarve si në sektorin shtetëror dhe atë privat. Sipas sektorëve të ekonomisë, pagën mesatare mujore më të lartë e gjejmë në sektorin e transportit dhe telekomunikacionit. Që prej vitit 2000 e deri në vitin 2013 ky sektor ka kryesuar nivelin më të lartë të pagës mesatare mujore për të punësuar.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme