Siniçan, banorët protestojnë për ujin e pijshëm

22:33 | 7 Korrik 2020
L G

Në mungesë të ujit të pijshëm dhe të harruar nga Institucionet, banorët e fshatit Siniçan të Tetovës me vetiniciativë tentuan të sjellin ujin nga bjeshka. Por ata thonë se në këtë tentim u penguan nga banorët e fshatit tjetër Urviç të cilët pretendojnë se burimet e ujit iu takojnë atyre.

E në pamundësi për të zgjidhur vet problemin, banorët e Siniçanit protestuan para komunës së Bogovinës duke kërkuar ndihmë Institucionale.

“Na ndalohen punimet të mos sillet uji në fshatin Siniçan. Pengesat më të mëdha i kemi konkretisht prej fshatit Urviç, që na bëjnë përmes institucioneve qendrore në Shkup”

“Jemi mobilizu këtu se Urviçi na bën pengesa edhe pse kemi gjet disa burime në Malin Sharr por pengojnë thonë nuk janë burimet tuaja. Institucionet heshtin s`bëjnë asgjë, përkrahin Urviçin”

“I lusim institucionet të na lejojnë të punojmë dhe apelojmë deri te bashkëqytetarët e Urviçit që ta kuptojnë këtë proces, ne nuk iu pengojmë atyre, këtu bëhet fjalë për ujin e pijes. Politika nuk rrinë larg kësaj do them, vet e financojmë këtë punë dhe partitë politike le të shohin punën e tyre”

Pas protestës së banorëve, këshilli i komunës së Bogovinës ka mbajtur edhe mbledhjen e jashtëzakonshme ku është vendosur që të përkrahen banorët e Siniçanit në vazhdimin e punimeve për ujësjellësin.

“Bashkë me këshillin komunal jemi zotuar se nga kanali e poshtë, do jetë punë e juaja dhe e komunës për të bë riparimin e gjithë gypave ekzistues. I gjithë këshilli komunal ishte i njëzëri pa asnjë kundër që të merret uji dhe të sillet në Siniçan. Iu bëj apel gjitha subjekteve politike, e di se është fushatë, por mos bëni politikë me ujin për pije në Siniçan, mos bëni politikë, bisedohet për ujin për pije- deklaroi Albon Xhemaili, Kryetar i komunës së Bogovinës.

Banorët paralajmërojnë protesta të reja nëse nuk zgjidhet problemi. Fshati Siniçan përballet me problemin e ujit për pije, që prej viteve të 90, kur me vendim, i gjithë uji i bjeshkëve të kësaj ane, është futur në kanal dhe dërgohet për në liqenin e Mavrovës./Alsat/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme