Simbolet kombëtare në Mal të Zi, shqiptarët nuk do të burgosen më

17:21 | 19 Nëntor 2017
Arbresh.info

Ministria e Pakicave në Mal të Zi ka hartuar një variant të ri të projektligjit për përdorimin e simboleve kombëtare.

Për ministrin Mehmed Zeka, ky projektligj është një variant më i avancuar dhe që mënjanon disa mangësi të ligjit të mëparshëm.

“Ky është një ligj me rëndësi të veçantë krahas ligjit themeltar, sepse garanton përdorimin lirshëm të simboleve të pakicave. Nuk do kemi keqpërdorime nga ata persona që e bëjnë këtë në momente të caktuara. Të drejtat e pakicave kanë qenë të sanksionuara me Kushtetutë, por jo me ligje”, ka deklaruar Zeka.

Projektligji i ri për herë të parë mundëson që simbolet kombëtare të përdoren edhe në ato zona ku pjesëmarrja e pakicave është në nivelin 5%.

“Për manifestime politike, kulturore, private qytetari i pakicave është i lirë t’i përdorë simbolet. Në komunat ku ka 5 për qind pakica përdorimi i flamurit është i detyrueshëm që të ngrihet në zyrat e komunave”, ka thënë Zeka.

Ky projektligj është një nga kushtet kryesore të vendosura nga partitë shqiptare në Mal të Zi për të qenë pjesë e koalicionit qeverisës./tch

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme