Në Maqedoni janë 25 institucione të arsimit të lartë, prej të cilave gjashtë janë shtetërore, ndërsa të tjerat private. Numri i madh i universiteteve dhe vrapi i tyre pas të rinjve për të studiuar në programet e tyre mësimore, ka ngritur shqetësime mbi cilësinë e arsimit të lartë në vend.
Për dallim nga e kaluara, tani sipas të dhënave statistikore, i papërfillshëm është numri i atyre që regjistrohen e që nuk e mbarojnë fakultetin. Përjashtime bëjnë ata që për arsye të ndryshme, të punësimit, apo të largimit nga vendi nuk përfundojnë studimet.
Për t’i tërhequr studentët, shumë fakultete private ofrojnë lehtësi nga më të ndryshmet të dhënies së provimeve, por kjo në anën tjetër, sipas njohësve të çështjeve të arsimit, ndikon në uljen e cilësisë.
“Qëndrimi im personal është se kualiteti në arsim po shënon rënie të madhe, në veçanti kur bëhet fjalë për fakultetet private, si për shembull në drejtimet shoqërore, në ekonomi, drejtësi dhe ato që janë të lidhura me biznesin. Kemi shumë fakultete në një vend të vogël siç është Maqedonia”.
“Kjo flet se ato më tepër hapen në bazë të interesave personale sesa të nevojave të tregut, apo të shkencës. Kualiteti ka rënë. Ka shumë persona të diplomuar, të cilët nuk mund të gjejnë punë, apo edhe mund të gjejnë, por nuk mund t’i mbajnë për shkak të cilësisë së dobët si kuadro”, thotë Konstantin Bitrakov, ish-anëtar i Plenumit Studentor, që për shumë kohë protestonte për reforma në arsim.
Borce Davitkovski, profesor në Fakultetin Juridik, në Shkup thotë se edhe pse Universiteti Shtetëror është në epërsi të madhe në krahasim me fakultetet private, megjithatë studentët u japin përparësi këtyre të fundit për shkak të kushteve më të lehta për studime dhe jo Universitetin të Shkupit, i cili nga viti në vit shënon ulje të numrit të studentëve.
“Ne po mbajmë kualitetin e mësimit, por problemi qëndron te numri i studentëve që po shënon rënie. Kemi numër gjithnjë e më të vogël të fëmijëve që posedojnë kualitete të larta. Më parë te ne, për një vend konkurronin nga tre kandidatë, sot mezi arrijmë ta plotësojmë kuotën. Konkurrenca po e bën të vetën”.
“Ata që kanë para dhe nuk duan të mësojnë, shkojnë tek institucionet private të arsimit të lartë. Te ne kjo nuk kalon, duhet dijë për t’i mbaruar studimet. Këtë e dëshmojnë praktikat e punësimit. Të gjithë që mbarojnë këtu fakultetin apo që kryejnë specializime arrijnë të sigurojnë punë, madje shumë prej tyre edhe jashtë vendit”, thotë Davitkovski.
Kuvendi i Maqedonisë, të mërkurën, ka miratuar ndryshimet në arsimin e lartë, me të cilat pos tjerash synon edhe ngritjen e cilësisë përmes mekanizmave të ndryshëm kontrollues.
Ministrja e Arsimit dhe Shkencës, Renata Deskoska, thotë se në ligjin aktual janë konstatuar mangësi të shumta dhe se tani përmes Agjencisë për kualitet në arsim, do të synohet zgjidhja e problemeve të grumbulluara dhe largimi i politikës nga universitetet.
“Në pjesën që ka të bëjë me sigurimin e kualitetit në institucionet e arsimit të lartë, kemi paraparë themelimin e agjencisë për kualitet në arsim, por edhe ndarjen e Këshillit për akreditim nga Këshilli për evoluim. Pra, nga ai që akrediton, nuk mund të presim që të bëjë edhe evoluimin, pasi ai që ka dhënë pajtueshmëri për ndonjë program të caktuar mësimor nuk mund të presim që të jetë vetëkritikë nëse rast se konstatohen gabime apo lëshime për programin mësimor të akredituar”.
“Me ndryshimet ligjore, synojmë ngritjen e cilësisë në arsim, nxjerrjen e kuadrove që do të jetë të gatshëm të përballem me tregun dhe kërkesat evropiane. Gjendja e tanishme ka dëshmuar se ligji aktual ka pasur më shumë përkushtime deklarative se sa përcaktime funksionale. Kemi pasur raste të përzierjes së politikës në arsimin e lartë, andaj qëllimi është që politika të mos ketë vend në universitete dhe se të vendoset mekanizimi i përgjegjësisë për çdo lëshim në punë”, bën të ditur Deskoska.
Por, ish-ministri i Arsimit, Sulejman Rushiti, thotë se rënia e cilësisë nuk është vetëm për shkak të ligjeve, porse në këtë ndikojnë edhe faktorë të tjerë.
“Mungesa e cilësisë në universitet private në fakt nuk ka të bëjë me ligjet, por më tepër ka të bëjë me mosimplementimin e ligjeve, respektivisht mosfunksionimin e të gjithë mekanizmave që duhet të garantojnë cilësi në arsim. Për fat të keq, ky fenomen nuk është vetëm në universitetet private, por edhe universitet publike nuk kanë mundur të anashkalojnë këtë rrezik, i cili e tejkalon oborrin e institucioneve të larta arsimore. Cilësia e arsimit është një problem më i gjerë shoqëror, për çka nevojitet vënia në funksion e të gjithë mekanizmave shoqërorë për të garantuar cilësinë e arsimit”, vlerëson Rushiti./rel
Bora regjistron fitoren e tretë në elitë, mposhtë Prizrenin
Maresca arsyeton barazimin ndaj Evertonit
Protestë masive në Beograd kundër Vuçiqit dhe qeverisë së ti...
Salah thyen një tjetër rekord në Premier League
Aeroplani bie në qendër të qytetit Gramado në Brazil, 10 per...
Real Madridi shënon fitore të madhe ndaj Sevillës, ngritët n...