Shtohet numri i veprave kriminale në Shkup

15:20 | 24 Janar 2020
Arbresh.info

Mbrëmë është djegur një automobil i parkuar në garazh nëntokësor në lagjen Butel. Policia për momentin nuk ka informata nëse bëhet fjalë për zjarr-vënie të qëllimshme dhe motivet për këtë.

“Mbrëmë rreth orës 1:43 në SPB Shkup është paraqitur se në garazh nëntokësor në rrugën Bosnjë- Hercegovina është djegur një automobil Volksvagen Golf, ndërsa zjarri ka kapluar edhe dy automobila të tjerë” -u shpreh Toni Angelovski, zëdhënës i MPB-së.

Dje pesë persona të maskuar me armë zjarri kanë plaçkitur një kazino në bulevardin “Aradhet Partizane” në Vllae- Shkup. Gjatë plaçkitjes nuk pati njerëz të plagosur, ndërsa plaçkitësit kishin marrë qarkullimin ditor, sipas informatave jozyrtare, 200 mijë euro dhe kanë ikur.

Para një jave gjithashtu ndodhi plaçkitje e armatosur në një bankë në Gjorçe Petrov, ndërsa policia ende është në kërkim të kryerësve. Sipas ekspertit të sigurisë, Lubomir Gjurçevski, kohëve të fundit kriminaliteti i dhunshëm po merr hov.

“Me siguri kjo është si rezultat i zvogëlimit të efikasitetit të policisë, nuk e di nëse kjo mund të jetë për shkak të lëkundjeve politike që na ndodhin në relacion zëvendësministra- ministra, apo ndoshta edhe si reflektim i shpërndarjes së njësitit policorë për luftë kundër kriminalitetit rrugor “Alfa” e kështu me radhë. Pra e gjithë kjo duhet të analizohet mirë “– tha Lubomir Gjurçevski, ekspert i sigurisë.

Plaçkitje të kazinove në kryeqytet kishte edhe më 13 janar të këtij viti, ndërsa edhe dy plaçkitje të tilla kishte edhe në dhjetor. Për momentin nuk ka informata nëse rastet janë të lidhura dhe bëhet fjalë për veprim të koordinuar të bandave kriminale./alsat

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme