Google ADS

Shqiptarët që “nuk vlejnë për pesë pare”, kërkojnë rikthimin e Zaevit

10:56 | 2 Nëntor 2021
arbresh.info

Partitë shqiptare pavarësisht përvojave me ish-kryeministrin, Zoran Zaev, që disa i vlerësoi aq ulët, vazhdojnë të kërkojnë kthimin e tij në krye të ekzekutivit në Maqedoninë e Veriut.

“Nuk vlejnë as për pesë pare” pati thënë Zaev për Bashkimin Demokratik për Integrim vitin e kaluar, dhe të njëjtit aktualisht e quajnë “të ngutur” dorëheqjen e Zaevit, shkruan arbresh.info.

“Deklarata e tillë e këtij njeriu tregon se në çfarë pozite raciste dhe tipike shoviniste është, Zoran Zaev… Ka patur në këto vende edhe zaeva të tjerë, si gligorovat dhe georgievskat e ndryshëm, por shqiptarët i mbijetuan ata. Kështu do të bëhet edhe tash. E ardhmja është e kombit shqiptar”, pati shkruar në një opinion Muhamet Kelmendi në kohën e publikimit të kësaj deklarate.

LEXO EDHE SKANDAL| Asnjë shqiptarë në Njësinë Speciale “TIGRAT” në Maqedoninë e Veriut

Partitë shqiptare e kishin cilësuar si fyerje për të gjithë shqiptarët atë që kishte thënë Zaevi, dhe ky i fundit thoshte se do të vazhdojë të mendojë për parti të caktuara shqiptare të njejtën gjë.

Ditë më parë portali arbresh.info ka publikuar edhe shkrime në të cilat shpërfaqet mungesa e angazhimit për të përfshirë shqiptarë në Njësinë Speciale të Policisë së Maqedonisë së Veriut “Tigrat”.

Zyra e Zaevit, drejtoi gishtin kah Ministria e Brendshme që drejtohej nga një ministër që vinte nga radhët e partisë së tij, Oliver Spasovski.

Asnjë përgjigje nuk u dha në lidhje me këtë çështje për më shumë se një javë derisa ekspertët vlerësojnë se mungesa e shqiptareve në njësinë e “Tigrave” tregon që shteti i Maqedonisë ende nuk është shkëputur nga ndikimi shovinist brenda strukturave të sigurisë së Maqedonisë së Veriut.

LEXO EDHE “TIGRAT” pa shqiptarë| Ja si e komentojnë analistët politik dhe të sigurisë

Të dielën, Zoran Zaev dha dorëheqje nga pozita e kryetarit të LSDM-së dhe kryeministrit të Maqedonisë së Veriut.

Këtë e bëri të ditur në një konferencë për medie duke shtuar se ai personalisht merr përgjegjësi për humbjen në zgjedhje./arbresh.info/

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme