Shqiptarët presin që presidenti i ri në Maqedoninë Veriore të luftojë për të drejtat e tyre

19:51 | 21 Prill 2019
Arbresh.info

Qytetarët e Maqedonisë Veriore të dielën u janë drejtuar kutive të votimit për të zgjedhur të parin e tyre.

Ndonëse në numër të vogël, maqedonasit që kanë votuar të dielën në zgjedhjet presidenciale, presin ndryshime pozitive, raporton KTV.

Qytetarët shqiptarë të këtij shteti thonë se presin që kryetari i ardhshëm të luftojë për të drejtat e shqiptarëve.

Për herë të parë për president të Maqedonisë Veriore po garon edhe një shqiptar.

Blerim Reka, ditën e zgjedhjeve e ka quajtur një paralajmërim për një faqe të re për Maqedoninë Veriore.

Tre kandidatët për presidentë kanë bërë thirrje për zgjedhje të lira dhe demokratike.

“Jam i bindur se këto zgjedhje do të jenë zgjedhje të rregullta, fer, demokratike e të lira dhe me këtë do të dëshmojmë se jemi të përgatitur për fillimin e negociatave anëtarësuese në BE”, ka thënë Blerim Reka.

“Pres ditë të qetë zgjedhore siç i takon një shteti demokratik. Pres edhe dalje në numër të lartë, sepse qytetarët e dinë se këto nuk janë zgjedhje për individë, por koncept të cilin shteti duhet ta zhvillojë për të ecur përpara. Dhe të bëhet pjesë e strukturave euro atlantike”, ka thënë Stevo Pendarovski.

“Këto zgjedhje nuk janë të veçanta, ngase unë jam kandidate dhe se për herë të parë, një grua mund të bëhet presidente, por shkaku i ndryshimit të emrit. Na duhet të tregojmë kapacitet evropian, demokratik, dhe reformues. Andaj na duhen zgjedhje shumë demokratike, gjë që është e zakontë për zgjedhje në shekullin 21”, ka thënë Gordana Siljanovska.

Procesi zgjedhor kryesisht ka shkuar qetë dhe është karakterizuar me dalje të ulët të votuesve.

Deri në orën 5, numri i votuesve ka arritur në 35.5 %.

Ky është rrethi i parë i zgjedhjeve presidenciale. Nëse asnjë kandidatët nuk arrin të fitojë mbi 50% të votave, atëherë dy kandidatët më të votuar do të shkojnë në balotazh, e që pritet të mbahet më 5 maj.

Lexo edhe: Ja sa vota jozyrtarisht ka fituar Blerim Reka?!

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme