Google ADS

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut shënojnë Ditën e Alfabetit

19:34 | 22 Nëntor 2024
R J

Shqiptarët në Maqedoninë e Veriut po shënojnë 22 Nëntorin, Ditën e Alfabetit Shqip, e cila është një nga festat kryesore të tyre.

Parlamenti i vendit jep çmimin “22 Nëntori”, ndërsa organizohen aktivitete nga institute, nga parti politike dhe nga qeveria, për nder të përvjetorit të Kongresit të Manastirit të vitit 1908 ku u ra dakord për krijimin e alfabetit të gjuhës shqipe.

Presidentja Gordana Siljanovska Davkova, Kryeministri Hristijan Mickovski dhe drejtues të partive politike uruan shqiptarët për festën. Në një aktivitet të organizuar nga qeveria e Maqedonisë së Veriut për rëndësinë e kësaj dite folën kryeministri Hristijan Mickovski dhe zëvendës-kryeministri Izet Mexhiti.

Kryeministri Mickovski tha se “intelektualët në Manastir të bashkuar dhe me mençuri morën vendimin për të hapur rrugën e gjuhës shqipe drejt së ardhmes – krijimit të alfabetit të njësuar dhe të standardizuar. Ky vendim, tha ai, nuk ishte vetëm gjuhësor, por një vepër për krijimin e një veçorie kulturore”.

Izet Mexhiti, Zv.Kryeministër i parë në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut tha se “gjuha është përcaktuesi themelor i tërësisë shqiptare që kalon kufijtë politikë e territorialë dhe që homogjenizon kombin shqiptar si një tërësi sot”.

“Që dëshmitë të ruhen në mendime, letërsi, art, koncepte politike e të ngjashme, duhet ekzistuar një element homogjenizues i organizuar i identitetit kombëtar çfarë është gjuha”, tha ai.

Në një takim tjetër akademik të organizuar nga Instituti për Trashëgiminë Kulturore të Shqiptarëve, drejtori Skender Asani theksoi synimin që “e ardhmja e gjuhës shqipe të jetë e lidhur ngushtë me synimet e përbashkëta të shqiptarëve për një ardhmëri euro-atlantike”.

Bashkimi Demokratik për Integrim organizoi një diskutim “në mbrojtje të gjuhës shqipe”. Ndërkohë, në qytetin e Manastirit sot do te mbahet një aktivitet kulturor-artistik me këtë rast.

Kjo ditë shënohet në një kohë kur janë shtuar shqetësimet e një pjese të shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut për cënimin e mundshëm të përdorimit të gjuhës shqipe, shkaktuar nga një nismë e Gjykatës Kushtetuese të vendit./VOA

Të ngjashme