Shqiptarët janë 32% në Maqedoni, këtë e tregon numri i maturantëve!

23:52 | 20 Prill 2017
Arbresh.info

Të paktën 5120 maturantë të këtij viti janë shqiptarë ose më saktësisht nxënës që kanë paraqitur si provim të parë lëndën e gjuhës dhe letërsisë shqipe. Provimin e maqedonishtes e kanë paraqitur 10532 nxënës, por jo të gjithë janë maqedonas pasi për këtë provim nxënësit nuk ndahen sipas gjuhës amtare por gjuhës në të cilën e kanë kryer shkollimin. Ndërkaq, në paralelet maqedonase sikurse dihet përveç tjerëve ka edhe shumë shqiptarë

Gjenerata e sivjetme e nxënësve të shkollave të mesme katërvjeçare konfirmon se pjesëmarrja e shqiptarëve në këtë nivel shkollimi është mbi 30 për qind në nivel të gjitha shkollave të Maqedonisë. Konkretisht, në bazë të atyre që kanë paraqitur provimet e maturës për vitin shkollor 2016/2017, gjimnazin dhe arsimin e mesëm profesional katërvjeçar, në muajin qershor pritet ta përfundojnë mbi 16 mijë nxënës, shkruan gazeta KOHA.

Prej tyre, të paktën 5120 maturantë ose 31.6 për qind janë shqiptarë, respektivisht nxënës që përfundojnë shkollën e mesme në paralelet me mësim në gjuhën shqipe. Ndërkaq, nxënës që janë evidentuar si maturantë të cilët përfundojnë shkollën e mesme katërvjeçare në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë 10632 të tillë ose 65.7 për qind, kurse në gjuhën turke 418 nxënës ose 2.8 për qind. Në gjuhën serbe nuk do mbarojë shkollën e mesme asnjë nxënës, pasi ka vite që nuk formohen paralele në këtë gjuhë, megjithëse Ministria e Arsimit dhe Shkencës (MASH) planifikon formimin e atyre paraleleve çdo vit.

Përqindja e lartë, mbi 65 për qind e nxënësve në paralelet maqedonase nuk reflekton plotësisht përqindjen reale të ndarjeve sipas përkatësisë etnike. Kuptohet, jo të gjithë nxënësit që mësojnë në paralelet me mësim në gjuhën maqedonase janë maqedonas, pasi paraqitja e provimeve të para të gjuhës dhe letërsisë për provimet e maturës shtetërore bëhet jo në bazë të gjuhës amtare (përkatësisë nacionale të nxënësve), por sipas gjuhës në të cilën funksionon paralelja ku kanë kryer shkollimin.

Sipas kësaj, në mesin e 10632 nxënësve të paraleleve maqedonase, krahas maqedonasve ka jo vetëm serbë, vllahë, boshnjakë, por edhe turq dhe shqiptarë pavarësisht faktit se në Maqedoni arsimi i mesëm organizohet edhe në gjuhën turke dhe maqedonase. Është botërisht i njohur fakti se në Manastir, Ohër, Prespë, Prilep, Veles, por edhe në Shkup janë qindra nxënës shqiptarë që nuk kanë mundësi të shkollohen në gjuhën e tyre amtare. Formalisht, e drejta e shkollimit në gjuhën shqipe nuk mungon në asnjë prej këtyre qyteteve, mirëpo për mungesë të kujdesit të nevojshëm institucional, shuam prej atyre paraleleve nuk formohen.

Arsyetimet e shkollave janë nga më të ndryshmet, duke nisur nga mosplotësimi i numrit për formimin e paraleleve deri te mosplotësimi i kritereve të pikëve për regjistrimin në drejtime të caktuara. Prandaj, shumë nxënës shqiptarë, duke mos përjashtuar as shkollat e mesme të Shkupit, mbushin paralelet me mësim në gjuhën maqedonase, kurse në përfundim të shkollimit të mesëm japin maqedonishten për provim të gjuhës amtare. Të gjitha provimet e gjuhës dhe letërsisë, për afatin e qershorit do të jepen më 27 maj, ndërsa provimet e dyta dhe të treta do të organizohen deri në 14 qershor.

Nga numri i maturantëve që kanë paraqituri provimet e maturës për afatin e qershorit, përcjell KOHA, 8274 janë në drejtimet gjimnaz, 7881 në arsimin profesional dhe 271 arsimi i mesëm artistik. Në total, provime të para, të dyta dhe të treta sipas fletëparaqitjeve përkatëse janë 48693 provime nga 16426 kandidatë. Provimet e para të gjuhës i kanë paraqitur 10632 në gjuhën dhe letërsinë maqedonase, 5120 në gjuhën shqipe, 418 në gjuhën maqedonase. Provimet e dyta: 2070 kanë paraqitur matematikën, 15201 në gjuhën angleze, 108 në gjuhën frënge, 26 gjuhën ruse dhe 197 gjuhën gjermane.
Provimet e matematikës dhe gjuhëve të huaja, të cilat janë mësuar gjatë katër viteve, janë me mundësi zgjedhje patjetër njërën prej tyre. Ndërkaq, për provimet e tretat numri i kandidatëve të paraqitur është mesa vijon: 3445 – biologji, 282 – kimi, 119 – fizikë, 2900 – histori, 4298 – biznes, 3684 – filozofi dhe 193 – etikë.

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme