Në NATO presin që deri më 15 shkurt në të dy vendet të përfundojnë të gjitha procedurat për Marrëveshjen e Prespës.
Parlamenti i Maqedonisë ka konvokuar seancë më 9 janar, ndërsa përgatitjet po bëhen edhe në Parlamentin e Greqisë, transmeton Portalb.mk.
Me përfundimin e kremtimit të Vitit të Ri, në skenë po kthehen angazhimet e politikave përfundimi i të cilëve është paraparë për gjysmën e parë të janarit. Pas festave vëmendja e mediave, edhe vendore edhe e atyre greke, është drejtuar kah Parlamenti i Maqedonisë dhe seancën numër 75, e konvokuar për 9 janar, me katër pikat e rendit të ditës: verifikim i propozim-amendamenteve të Kushtetutës, miratimi i amendamenteve dhe të propozim ligjit Kushtetues dhe implementimi i tyre.
Kjo është faza e fundit e ndryshimeve kushtetuese të parashikuara me Marrëveshjen e Prespës dhe detyrimi i fundit që duhet të realizohet për zbatimin e tij.
Letër nga Stoltenberg
Është përshpejtuar edhe dinamika në Athinë, ku presin që Parlamenti i Maqedonisë që edhe para afatit të paraparë të përfundojnë detyrimet e Marrëveshjes, transmeton DW.
“Është e mundur që ratifikimi i Marrëveshjes së Prespës të përfundojë edhe para datës së shënuar, më 15 janar. Votimi (për ndryshime kushtetuese, v.j.) mund të ndodhë madje edhe në ditën e fillimit të procedurës në seancën plenare, duke pasur parasysh tërheqjen e paralajmëruar të VMRO-DPMNE opozitare nga diskutimi. Përshpejtimi i hapave nga pala maqedonase është në koordinim të plotë me ritmin që e dëshiron edhe NATO”, shkruan “Katimerini”.
Gazeta, duke iu referuar “burimeve të mirë-informuara”, thotë se NATO e dëshiron procesin më të shpejtë të mundshëm.
“Ka një letër nga Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, me të cilën bëhet thirrje për përfundim të të gjitha procedurave në të dy kryeqytetet deri më 15 shkurt 2019”, publikoi gazeta, duke shtuar se kjo i përshpejton dhe i aktivizon edhe procedurat në Athinë.
Këtë e paralajmëroi rishtazi edhe zëdhënësi i qeverisë greke Dimitris Xenakopulos. “Kryeministri Cipras më 18 janar do të merr vendim kur Marrëveshja e Prespës do të dorëzohet për ratifikim në Parlamentin grek,” tha Xanakopulos, duke shpjeguar se në proces e sipër janë “kombinimet parlamentare për ratifikim të Marrëveshjes, dhe se ato janë intensive.”
Javën e kaluar, burime diplomatike greke për gazetën “Elefteros tipos” shprehën pritje se Marrëveshja e Prespës mes Athinës dhe Shkupit do të hyjë në procedurë të ratifikimit në Parlamentin grekja që në janar. Duke pasur parasysh këtë, mediat greke njoftojnë se nëse procesi në Shkup përfundon me sukses, “topi do të kalohet menjëherë në territorin grek”
Por, ata gjithashtu raportojnë informacioni të qeverisë se “Kryeministri Cipras ka siguruar shumicë në parlament për të mbështetur Marrëveshjen e Prespës”. Edhe ish-shefi i diplomacisë greke, Nikos Koxias, në intervistën e fundit për AIM, shprehu bindjen se parlamenti grek ka shumicë për ratifikim të Marrëveshjes së Prespës.
Rezistenca e fundit
VMRO-DPMNE opozitare tashmë ka njoftuar se nuk do të marrë pjesë në fazën përfundimtare të ndryshimeve kushtetuese, përcjellë Portalb.mk.
“Procesi i ndryshimeve kushtetuese dhe debati mbi ta është farsë dhe deputetët e VMRO-DPMNE-së në fazën e tretë përfundimtare nuk do të marrin pjesë. Propozime të tilla e polarizojnë edhe më shumë situatën, e për këtë fajtorë janë Zaev dhe qeveria aktuale”, tha udhëheqësi i VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoski.
Burime nga qeveria maqedonase për DW kanë konfirmuar se pritet që të njëjtën ditë në Athinë të mbahet votimi për Marrëveshjen e Prespës dhe ratifikimin e protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë në NATO. Ata besojnë se më parë procesi do të përfundojë me sukses në Shkup dhe se do të ketë dy të tretat e shumicës “dhe diçka më shumë se kaq”.
I pyetur se si ndihet sot, disa muaj pas nënshkrimit të Marrëveshjes me Greqinë, Ministri i për punë të jashtme Nikolla Dimitrov, në një intervistë me AIM u përgjigj:
“Pa pompa, pa triumfalizëm, por qetë, të sigurt, me dinjitet dhe ndërgjegje të pastër e arritëm më të mirën për Maqedoninë. Në rrethanat e dhëna, e arritëm absolutisht më të mirën që ishte e mundur. Kishte momente të rishqyrtimit të thellë dhe të vështirë, konsultime, por në ditën e nënshkrimit të marrëveshjes të gjitha dilemat ishin zhdukur”.
Ai shprehu keqardhje që udhëheqësia e opozitës vendosi të mos merrte pjesë aktive në referendumin që është përcaktim i tyre programor partiak.
“Me këtë, përgjegjësia u transferua në Parlament duke krijuar një sfidë dhe detyrim shtesë për sigurim të mbështetjes për Marrëveshjen. Momenti është historik dhe kërkon urtësi të madhe dhe përgjegjësi e vizionin nga të gjitha aktorët në këtë proces (…) Jam i bindur se me politikë të drejtë dhe transparente pas disa vitesh, shumica e qytetarëve nga të dyja anët do të parashtrojnë të njëjtën pyetje – përse nuk e bëmë këtë shumë më herët “, thotë Dimitrov.
Por kundërshtarët e Marrëveshjes së Prespës këtyre ditëve po i përgatisin aktivitetet e fundit për të shprehur rezistencën e tyre.
“Maqedonia bojkoton” për nesër (3 janar) ka paralajmëruar protestë para shtëpisë së një deputeteje nga grupi të pavarur të opozitës që votoi për të hapur procesin e ndryshimeve kushtetuese, si dhe paralajmërohet protestë më 9 janar, ditën kur parlamenti do të fillojë seancën plenare për fazën përfundimtare të ndryshimeve kushtetuese.
Kurti: Prokuroria ka intervistuar kryeministra edhe më herët...
Kurti: Radoiçiq ka caktuar dy persona për të realizuar sulme...
Edmond Lajqi pranon fajësinë për vrasjen e gruas: I kërkoj f...
Plagoset me thikë 50-vjeçari shqiptar në Athinë, 4 autorët l...
Kurti komenton moscertifikimin e Listës Serbe
KG i FFK-së hap procedurë disiplinore ndaj Llapit dhe trajne...