Zgjedhjet parlamentare në Greqi e fitorja bindëse e Demokracisë së Re të Kyriakos Mitsotakisit janë ndjekur me shumë interes në Maqedoninë e Veriut. Po si do të reagojë qeveria e re greke ndaj Marrëveshjes së Prespës?
Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev i ka uruar fitoren kryeministrit të sapozgjedhur grek Kyriakos Mitsotakis: “Zhvilluam bisedë telefonike me zotin Mitsotakis, kryetar i Demokracisë së Re dhe kryeministër i ri i fqinjit tonë, Greqisë. E urova për fitoren e zgjedhjeve dhe i dëshirova prosperitet Greqisë dhe populllit të tij. Shprehëm shpresë për bashkëpunim të mëtejshëm midis Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë”, ka deklaruar kryeministri Zoran Zaev.
Nano Ruzhin: Marrëveshjet ndërkombëtare duhen respektuar
Ish-diplomati, Nano Ruzhin thotë, se edhe me ardhjen e Mitsotakisit në pushtet, Marrëveshja e Prespës nuk rrezikohet, gjegjësisht kjo marrëveshje nuk mund të anulohet dhe revidohet. Sipas tij marrëveshjet ndërkombëtare duhet të respektohen dhe ato nuk mund të anulohen njëanshëm. “Mitsotakis para disa ditëve tha, se praktikisht tanimë është e pamundur të anulohet Marrëveshja e Prespës. Marrëveshjet ndërkombëtare nuk mund të anulohen njëanshëm. Edhe nëse anulohen, do të duhej pajtim i të dy palëve, por kjo praktikisht nuk mund të ndodhë. Pa marrë parasysh se kush është në qeveri në të dyja vendet, anulimi i marrëveshjes nuk ka mundësi të ndodhë, sepse kjo ka mbështetje të fuqishme edhe nga faktori i jashtëm”, është shprehur eksperti Nano Ruzhin.
Probleme mund të dalin gjatë zbatimit të marrëveshjes
Sipas analistit politik Naser Zyberi, fitorja e Demokracisë së Re në Greqi do të reflektohet edhe tek Marrëveshja e Prespës pa marrë parasysh se ajo ka garanci ndërkombëtare. Nisur nga fakti që Demokracia e Re e ka kundërshtuar nënshkrimin e kësaj marrëveshjeje, mbetet të shihet, se si do të vendosë kryeministri Mitsotakis. “Paralajmërimet e para janë se ai do ta respektojë Marrëveshjen, sepse është akt prapa të cilit qëndron autoriteti i shtetit grek dhe jo vetëm i një strukture qeverisëse të çastit, por mund të hapen probleme në fazat e zbatimit të saj tek të dyja palët.Vetë marrëveshja ka parashikuar mundësinë e lindjes së këtyre mosmarrëveshjeve, por edhe të zgjidhjes së tyre. Në Nenin 19 të Marrëveshjes thuhet se nëse mes palëve lind kontest në interpretimin e normave të Marrëveshjes së Prespës, atëherë palët do të mundohen bashkërisht t’i zgjidhin, nëse jo, do t’i drejtohen sekretarit të OKB-së. Dhe në qoftë se edhe në atë rast nuk mund të zgjidhet problemi, atëherë palët kanë të drejtë t’i drejtohen gjykatës ndërkombëtare”, vlerëson analisti Naser Zyberi.
Nikovski: Fat që në qeverinë e re nuk ka parti ekstremiste
Për ish-diplomatin Risto Nikovski në konstelacionin e ri të krijuar në Greqi pas përfundimit të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare vlen të theksohet fakti se Mitsotakis është në pozicion ta formojë vetë qeverinë, pa pasur nevojë që në të të ketë partnerë koalicioni, që ndoshta do të paraqiteshin si më rigoroz ndaj çështjes me Maqedoninë e Veriut. “Është më se reale që Mitsotakis të formojë qeveri të vetën, do të mund të mbështetet në forcat e veta pa u varur nga partnerë të tjerë eventual qeverisës, fakt ky që për Maqedoninë e Veriut është në favor. Këtë e them sepse përfshirja eventuale e ndonjë partneri të koalicionit nga e djathta ekstreme do të mund të paraqiste rrezik për Marrëveshjen e Prespës. Pas përfundimit të zgjedhjeve në Greqi, nëse tek ne ka zgjedhje dhe varësisht se kush mund të fitojë do të mund të ketë trazira politike sa i përket realizimit të tërësishëm të Marrëveshjes së Prespës”, thekson Nikovski.
Neziri: Konventa e Vjenës mbron marrëveshjet bilaterale
Për analistin politik Xhelal Neziri, Marrëveshja e Prespës nuk është vetëm një copë letre e nënshkruar nga dy partitë e krahut të majtë SYRIZA nga pala greke dhe LSDM nga pala maqedonase, por është një marrëveshje dypalëshe ndërmjet dy shteteve të pavarura, nën patronazhin e OKB dhe me angazhim të fortë të Brukselit dhe Uashingtonit. “Qeveria e re greke e udhëhequr nga Demokracia e Re e Kyriakos Mitsotakis nuk mund ta kthejë prapa procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërmjet Maqedonisë së Veriut dhe Greqisë që qëndron mbi implementimin e Marrëveshjes. Konventa e Vjenës për Ligjet dhe Traktatet është e qartë se një tërheqje e njëanshme e nënshkruesve nga marrëveshjet bilaterale është pothuajse e pamundur. Nëse ndodh kjo nga pala greke, gjë që nuk besoj, atëherë pasojat për Greqinë do të ishin të mëdha për shkak të shkeljes të së drejtës ndërkombëtare”, nënvizon Xhelal Neziri./DW
“Kjo dëshiron që unë të them kam pëlqim për të”, Driloni fle...
Rama: Qendra Kulturore Kombëtare për Fëmijë po rilind me një...
Hill: SHBA-ja nuk sheh prova që e lidhin Beogradin me sulmin...
Detaje të reja për të dyshuarin e sulmit në tregun e Krishtl...
Vetaksident në magjistralen Pejë-Prishtinë, vdes një person
Zëvendëskryeministri italian vjen në Kosovë, viziton KFOR-in...