Opozita maqedonase e drejtuar nga VMRO-DPMNE kërkon me çdo kusht shpalljen e shpejtë të zgjedhjeve të parakohshme, për të kapërcyer gjendjen e krijuar politike pas ndërprerjes së seancës së parlamentit për ndryshimet kushtetuese.
Ndërkaq, pushteti e akuzon VMRO-në për politikat e saj anti-evropiane.
Analistët, ndërkohë, nuk e përjashtojnë mundësinë e thellimit të krizës politike në vend, një gjë që do të kishte pasoja për rrugën integruese të Maqedonisë së Veriut.
Ky vend duhet të përfshijë pakicën bullgare në kushtetutën e saj, si kusht për të vazhduar bisedimet me Bashkimin Evropian.
Por, për këtë i duhen dy të tretat e votave në parlament.
Opozita maqedonase ngul këmbë për zgjedhje të parakohshme parlamentare në një kohë kur vendi po përballet me sfidat e ndryshimit të kushtetutës dhe rrjedhimisht rrugën e integrimit në Bashkimin Evropian.
VMRO-DPMNE-ja duke parë se shumica parlamentare nuk ka dhe nuk po mund të arrijë shifrat e nevojshme prej dy të tretës së ligjvënësve që do të votonin përfshirjen e pakicës bullgare në Preambulën e Kushetetuës, tani si zgjidhje të vetme e shikon daljen e shpejtë në zgjedhje të parakohshme.
VMRO-ja e kundështon me ngulm miratimin e ndryshimit të kushtetutës duke e quajtur gatishmërinë e pushtetit për këtë si “një diktat bullgar”.
Ndërsa pushteti e akuzon VMRO-në për politika anti-evropiane, për shkak se ndryshimi i kushtetutës paraqet shansin e vetëm dhe të fundit për të vazhduar bisedimet për integrim në BE, VMRO-ja i hedh poshtë akuzat, ndërsa kritikon pushtetin për strategjinë e zvarritjes së procesit të votimit, sepse LSDM-ja dhe BDI-ja e dinë, sipas saj, se nuk kalojnë dot.
VMRO-ja thotë se prandaj nuk ka zgjidhje tjetër përveç se shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme.
Zyrtarët opozitarë maqedonas thonë se këtë që e kanë bërë LSDM dhe BDI është humbje për popullin maqedonas:
“Sepse 80% e popullit nuk e pranon këtë zgjidhje; prandaj duhet të shkojmë në zgjedhje”, thotë Vllado Misajllovski i VMRO-DPMNE-së.
Edhe opozita shqiptare dëshiron zgjedhje të parakohshme, ndonëse ajo nuk e përjashton mundësinë e votimit të ndryshimeve kushtetuese.
Ndërkohë, partitë e koalicionint qeveritar theksojnë se ideologjia e vetme e VMRO-DPMNE-së është bllokimi dhe izolomi i vendit.
Kryeministri Kovaçevski vlerëson se qytetarët me orientim pro-evropian nuk do ta harrojnë dhe nuk do t’ia falin këtë gjë VMRO-së.
Nga ana tjetër, analistët mendojnë se situata po shkon drejt shkaktimit të efekteve negative për vendin.
Analisti Xhelal Neziri thotë se mungesa e dy të tretave të deputetëve dhe e votave në parlament si dhe mungesa e një vullneti politik për konsensus rreth kësaj çështjeje mund të sjell dhe të prodhojë kriza të reja politike.
“Këto kriza do të ndodhnin në një situatë jo aq të lakmueshme, jo aq të mirë, edhe në aspektin e brendshëm por edhe në kontekstin gjeopolitik në të cilin gjendet vendi. Nëse nuk miratohen ndryshimet kushtetuese do të jetë pikërisht Maqedonia e Veriut e cila do të ndalë vetveten në vazhdimin e rrugës drejt integrimit në Bashkimin Evropian”, thekson zoti Neziri.
Bashkimi Evropian i ka vënë kusht Maqedonisë së Veriut që ta përfshijë pakicën bullgare në Kushtetutën e saj pas një kompromisi për këtë në mes Shkupit dhe Sofjes.
Ndërkohë, autoritetet qeveritare në Shkup kanë shprehur gatishmëri që krahas pakicës bullgare të fusin në Preambulë edhe pakicat kroate, malazeze, hebraike dhe egjiptiane, por të mos pranojnë heqjen e formulimit “20%-shi”, një referencë kjo për shqiptarët dhe gjuhën shqipe në Kushtetutë./voa/