Shkup, debat publik për zbatimin e Ligjit për vetëqeverisje lokale

14:02 | 30 Tetor 2019
Arbresh Info

Kryetari i komisionit Xhevat Ademi tha se e ka organizuar këtë debat publik si mbikëqyrje në zbatimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, e në veçanti në lidhje me punën e komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në nivel lokal

Komisioni parlamentar për vetëqeverisje lokale ka organizuar sot debat publik me temë “Zbatimi i Ligjit për vetëqeverisje lokale në lidhje me punën e Komisioneve për Marrëdhënie Ndërmjet Bashkësive në nivel lokal (nenet 41 dhe 55)”.

Në debat të pranishëm ishin përfaqësues të pushtetit qendror dhe lokal si dhe përfaqësues të organizatave joqeveritare ndërkombëtare dhe nga Maqedonia e Veriut.

Në hapje të debatit publik, kryetari i komisionit Xhevat Ademi tha se e ka organizuar këtë debat publik si mbikëqyrje në zbatimin e ligjit për vetëqeverisje lokale, e në veçanti në lidhje me punën e komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në nivel lokal.

“Si produkt i kornizës së Marrëveshjes së Ohrit, komisionet për marrëdhënie ndërmjet bashkësive duhej të garantonin që qytetarët që jetojnë si pakicë, përkatësisht komunitetet që banojnë në pakicë lokale brenda komunës, nuk do të margjinalizohen dhe do t’i gëzojnë të drejtat e tyre të garantuara me Kushtetutë. Këto komisione e përfaqësojnë kornizën unike institucionale për dialog ndërmjet komuniteteve në nivel lokal”, tha Ademi.

Ministri i vetëqeverisjes lokale, Goran Milevski, në fjalimin e tij tha se në praktikë, hasen paqartësi gjatë zbatimit të nenit 55 të Ligjit për vetëqeverisje lokale, i cili mes tjerash përcakton nevojën për formim të komisioneve për marrëdhënie ndërmjet bashkësive në nivel lokal, përbërjen e tyre si dhe lëndën e punës.

Milevski tha se sipas të dhënave të tyre që datojnë para zgjedhjeve të parafundit lokale, komisione të këtilla janë formuar në 30 komuna, duke shtuar se ende nuk janë përpunuar të dhënat pas zgjedhjeve të fundit lokale.

“Informacioni ynë fillestar është se numri i komisioneve të krijuara është dukshëm më i ulët se mandati i mëparshëm dhe që është një tendencë shqetësuese, pasi komitetet ‘de fakto’ që janë të detyrueshme me ligj rezultojnë të mos jenë shumë të nevojshme në komuna”, tha Milevski.

Kujtojmë se neni 55 i Ligjit për vetëqeverisje lokale parasheh që Komision për marrëdhënie ndërmjet bashkësive të formohet në komunën në të cilën ka banorë pakicë, numri i të cilëve është mbi 20 për qind nga numri i përgjithshëm i banorëve të komunës./AA

Të ngjashme