Me vazhdimin e gjendjes së jashtëzakonshme në vend, SHGM beson se duhet të gjendet mënyrë më е mirë për komunikim dhe transparencë në marrëdhëniet midis institucioneve qeveritare dhe qendrave shëndetësore, dhe mënyrë që të garantohet liria e shprehjes dhe e drejta e informimit. Shoqata e Gazetarëve të Maqedonisë beson se ka shumë hapësirë për t’а përmirësuar bashkëpunimin ndërmjet gazetarëve, mediave dhe institucioneve, duke pasur parasysh të gjitha vërejtjet që kanë mbërritur deri më tani në SHGM nga anëtarët tanë.
Theksojmë që ne si organizatë, dhe shumë nga anëtarët tanë, jemi të pakënaqur me mungesën e komunikimit të dyanshëm përmes kyçjeve të drejtpërdrejta gjatë konferencave për shtyp që mbajnë ministrat. Me praktikën e tanishme, përmes këtij komunikimi, gazetarit nuk i jepet hapësirë për të bërë nënpyetje ose koment për përgjigjen e dhënë, që len hapësirë që bashkëbiseduesi të mos iu përgjigjet gjithmonë pyetjeve. Kjo u jep mundësi funksionarëve që të jenë selektiv në përgjigjet e tyre. Ky qëndrim krijoi përshtypjen se funksionarët nuk dinin t’i përgjigjen disa prej pyetjeve ose nuk donin të ndanin informatat e tyre me publikun. Prandaj, ne kërkojmë që gazetarëve t’u mundësohet të parashtrojnë edhe nënpyetje me qëllim që të sigurohet informata e plotë nga bashkëbiseduesi.
Mundësia e dytë, për të cilën ne konsiderojmë se kemi mundësi të bëhet është të mbahen konferenca për shtyp në ndonjë vend të hapur, kur kushtet e motit lejojnë këtë (përpara Qeverisë ose në ndonjë lokacion tjetër të përshtatshëm) me distancë fizike mes gazetarëve, por edhe ndërmjet gazetarëve dhe bashkëbiseduesve. Ky është një rekomandim i SHGM-së por edhe i organizatës sonë partnere, Federatës Evropiane të Gazetarëve, e cila ua sugjeroi këtë zgjidhje të gjithë anëtarëve të saj në Evropë. Ky opsion nuk duhet të përjashtojë opsionin e parë, pasi është vërtetuar se ai është i dobishëm për gazetarët nga qytetet e tjera.
Në këtë pjesë duam të kritikojmë konferencën e fundit për shtyp të organizuar në Kumanovë nga kryetari i komunës. Sipas kolegëve tanë, ajo ishte e organizuar në ambiente të mbyllura me praninë e disa bashkëbiseduesve, gazetarëve dhe punonjësve mediatik, të cilët kanë pasur kontakte fizike me njëri-tjetrin. Më pas u tregua se kryetari i komunës ishte i infektuar me COVID-19, që do të thotë se ai i vuri kolegët tanë në rrezik. Përveç kësaj, ritheksojmë që Qeveria nuk duhet t’i privojë nga e drejta për të bërë pyetje dhe të marrin pjesë në konferenca për shtyp as internet portalet që nuk janë pjesë e Regjistrit për online mediat profesionale, sepse Regjistri është një organizatë vullnetare, dhe nuk është i krijuar për atë qëllim, por është i bërë që t’i mundësojnë publikut dhe komunitetit të biznesit të njohin mediat profesionale.
Sa i përket transparencës, theksojmë se institucionet nuk duhet t’i lejojnë vetes që të ndajnë informacione vetëm me disa gazetarë ose media para mbajtjes së konferencave për shtyp dhe kështu të sigurojnë ekskluzivitet vetëm për media të caktuara, në krahasim me të gjithë të tjerët që ndjekin konferencat për shtyp. Kur jemi në një situatë kaq delikate, të gjitha mediat duhet të kenë qasje të barabartë në informacione që janë të rëndësishme për publikun.
Emisioni, i titulluar “Covid -19 – Pyetje dhe përgjigje: Gjithçka rreth koronavirusit”, i organizuar nga qeveria, ku në rol të gazetarëve u paraqitën nëpunës shtetëror, që mundësoi të përjashtohen pyetjet kritike, paraqet një shembull negativ të komunikimit me qytetarët dhe është ofendim për gazetarët profesionistë. Prandaj, formatet e tilla të komunikimit nga zyrtarët qeveritarë duhet të shmangen në të ardhmen.
Në periudhën e kaluar, në disa raste, zyrtarët qeveritarë paralajmëruan dispozita ligjore për sanksionimin e lajmeve të rreme dhe ballafaqim me mediat. Ju kujtojmë se detyra kryesore e institucioneve në këtë kohë duhet të jetë sigurimi i transparencës maksimale në lidhje me krizën e shkaktuar nga pandemia dhe kriza ekonomike, dhe jo të merren me kufizime mbi lirinë e shprehjes. Mënyra më e mirë për të defaktorizuar dezinformatat është transparenca më e madhe dhe përdorimi i vetë-rregullimit në media.
Lidhur me lirinë e lëvizjes së gazetarëve gjatë orës policore, theksojmë edhe një herë që Qeveria nuk duhet ta kufizojë lëvizjen e gazetarëve që punojnë në mediat të cilët nuk janë pjesë e Regjistrit të Këshillit për Etikë në Mediat në Maqedoni (KEMM) dhe të SHGM-së. Për shkak të faktit se gazetarët, së bashku me punonjësit shëndetësor, janë ndoshta më të rrezikuar nga infeksioni koronavirus, u sugjerojmë institucioneve që të sigurojnë kushte më të mira për testimin e gazetarëve dhe punonjësve mediatik, nëse kjo kërkohet nga ato.
Nga ana tjetër, mirëpresim vendimin e Qeverisë për të siguruar një pagë minimale për gazetarët dhe punonjësit mediatik, masë të cilën ne e kërkuam publikisht së bashku me Sindikatën e Gazetarëve në mënyrë që të lehtësojmë punën e mediave në këtë periudhë të vështirë. SHGM paralajmëron që nëse kriza vazhdon në muajt e ardhshëm, do të duhet të sillen masa shtesë për të tejkaluar vështirësitë ekonomike të mediave dhe për të shmangur largimin nga puna të gazetarëve dhe punonjësve mediatik. Këto masa duhet të jenë efikase dhe të përfshijnë jo vetëm mediat tradicionale, por edhe mediat online, të cilat për dallim nga mediat tradicionale nuk kanë marrë asnjë ndihmë financiare në periudhën e kaluar.
Më në fund, do të dëshironim të theksonim se në kushte të pandemisë globale, sot më shumë se kurrë, mund të vërehet nevoja për korrespodenca cilësore. U dëshmua që korrespondentët në një situatë të tillë janë shumë të rëndësishëm si për median ashtu edhe për qytetarët. Prandaj, besojmë se duhet të bëhen përpjekje shtesë për të siguruar vendin e tyre në redaksitë. Përkujtojmë edhe rekomandimet e SHGM-së për përmirësimin e rrjetit të korrespodentëve në RTVM dhe AIM me anë të ndryshimeve ligjore, por edhe me rekomandime për televizionet kombëtare dhe gazetat ditore.
Murati: Pasdite pritet të bëhet ekzekutimi i shtesave nga 10...
SHSKUK-ja jep detaje për 30 vjeçarin e infektuar me Lijën e ...
Hoti: Sikur të nisej me kohë ndërtimi i termocentralit me ga...
Studimi në SHBA: Shumica e qytetarëve të lodhur nga lajmet p...
Ngritet aktakuzë ndaj tre personave në Prizren për shitblerj...
Qeveria miraton vendimin për ndarjen e shtesave prej 100 eur...