Në Shkup po mbahen simpoziume shkencore me rastin e 112 vjetorit të Kongresit të Manastirit, i njohur si Dita e Alfabetit (të gjuhës shqipe). Dita e nesërme, 22 nëntor kur përfunduan punimet e Kongresit më 1908, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut prej para pak vitesh është bërë festë zyrtare.
Instituti i Trashëgimisë Kulturore dhe Shpirtërore të Shqiptarëve në Maqedoninë e Veriut (ITKSH) ka organizuar këto ditë një sërë aktivitetesh lidhur me përvjetorin e Kongresit të Manastirit apo Ditën e Alfabetit që këtu është festë zyrtare për shqiptarët.
Studiues dhe zyrtarë shtetërorë morën pjesë në takimin e së shtunës, që iu përkushtua Gjerasim Qiriazit, njërit prej pjesëmarrësve dhe kontribuesve të Kongresit para 112 vjetësh.
Skënder Hasani, drejtor i ITKSH tha se alfabeti i gjuhës shqipe, “që u ndihmua aq shumë nga misionarët amerikanë, u vulos më 22 nëntor, 1908 dhe Instituti për Trashëgiminë dhe Kulturën Shqipërtërore u themelua pikërisht më 22 nëntor dhe tash është vendosur në objektin e ish-ambasadës amerikane në Shkup. Ky Kongres është faqja tjetër e Lidhjes Shqiptare të Prizrenit dhe sintetizim më i saktë i përpjekjeve iluministe të rilindasve tanë për ndriçimin e kombit”.
Kryetari i Parlamentit, Talat Xhaferi shprehu kënaqësinë që manifestimi fillon me Gjerasim Qiriazin dhe përfundon me përurimin e librit për Parashqevi Qiriazin. “Nuk mund të ishte ndryshe, sepse ata të dy dhe shumë intelektualë të tjerë anembanë ku frymonin shqiptarët u tubuan në Kongresin e Manastritit që nga përbërja dhe çështjet që i diskutoi dhe zgjidhi – konsiderohet si kuvendi më i rëndësishëm kombëtar në historinë politike dhe kulturore të shqiptarëve”, u shpreh kryeparlamentari Xhaferi.
Arafat Shabani, zv.ministër i Arsimit në Qeverinë e Maqedonisë së Veriut theksoi shpresën se nga shtatori i ardhshëm “Abetarja e unifikuar do të bëhet realitet në të gjitha shkollat e trevave shqiptare”.
Edhe Ardit Bido, Drejtor i Përgjithshëm i Arkivit Shqiptar, nënvizoi se Kongresi i Manastirit përbën një moment shumë të rëndësishëm të kombit shqiptar “që tregon se sot e kësaj dite frymon si i tillë, pavarësisht realiteteve të ndryshme politike. Prandaj, bashkëpunimi në mes institucioneve tona, pavarësisht shtetit ku ndodhet, duhet të jetë gjithnjë e më i fortë”, theksoi Bido
David Hosaflook një studiues i njohur i kulturës dhe historisë shqiptare foli për peripecitë e shumta në kërkim të varrit të njërit prej vëllezërve Qiriazi, eshtrat e të cilit më në fund ishin gjetur në një varrezë të dëmtuar protestante të qytetit të Strumicës.
Dita e nesërme, 22 nëntori, për shqiptarët e Maqedonisë së Veriut është festë zyrtare.
Në qytetin e Manastirit, Shtëpia e Alfabetit është shndërruar në muze, por ende me probleme të pazgjidhura pronësore./VOA
Kurti dhe Murati mbajnë konferencë për media
Gjuajti disa herë në ajër dhe e hodhi armën nga vetura, arre...
Drita pret Feronikelin ’74, në Suharekë luhet derbi i qyteti...
Vdekja e 1-vjeçarit në QKUK, policia po heton rastin
Gjuajti me armë zjarri, arrestohet i dyshuari në Prizren
Driloni dhe Sara flasin për familjen dhe të ardhmen