Google ADS

Shefja e KE-së porosit Shkupin: Miratoni ndryshimet kushtetuese për të ardhmen tuaj

12:29 | 30 Tetor 2023
E.G

Presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, ka porositur zyrtarët maqedonas se procesi i anëtarësimit të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian varet nga ndryshimet kushtetuese.

Pas takimit me kryeministrin maqedonas, Dimitar Kovaçevski, të hënën në Shkup, shefja e KE-së tha se ndodhet në Maqedoninë e Veriut që Kovaçevskit dhe qytetarëve të këtij shteti t’iu përcjell mesazhin se “jeni në rrugë të mirë që t’i bashkoheni BE-së dhe se BE-ja mezi pret që t’iu shohë në mesin e saj”.

“Ndryshimet kushtetuese janë një hap i domosdoshëm në rrugën drejt anëtarësimit në BE. Ajo çfarë ka arritur Maqedonia e Veriut është mbresëlënëse, andaj vërtetë dëshiroj që Maqedonia e Veriut të vazhdojë të lëvizë përpara me vendosmëri në rrugën drejt anëtarësimit në BE”, tha von der Leyen.

“Dritarja e mundësive është e hapur, andaj shpresoj se të gjitha partitë do të shfrytëzojnë momentin që të ecni përpara në miratimin e vendimeve të vështira, por që do të jenë për të mirën e vendit tuaj”, shtoi zyrtarja evropiane.

Ndryshimet kushtetuese kanë të bëjnë me përfshirjen e pakicës bullgare në preambulën e Kushtetutës si popull shtetformues, ashtu siç parashihen me atë që njihet si “propozim francez” për zgjidhjen e kontesteve me Bullgarinë.

Ndryshimet miratohen nga Kuvendi me dy të tretat, por shumica parlamentare nuk ka votat e nevojshme andaj kërkohet mbështetja e opozitës, e cila i kundërshton me arsyetimin se janë të “dëmshme për interesat shtetërore e kombëtare maqedonase”.

Von der Leyen mospërfshirjen në agjendën e takimeve të kryetarit të VMRO DPMNE-së opozitare, Hristijan Mickovski, nga partia e të cilit varen ndryshimet kushtetuese, e arsyetoi me atë se ajo do të vizitojë jo vetëm Maqedoni të Veriut, por dhe në vendet tjera në Ballkanin Perëndimor, ku është paraparë të takohet vetëm me presidentët dhe kryeministrat.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se beson se partitë, që sipas tij “historikisht kanë qenë kundër integrimit, më në fund do të kenë parasysh interesin shtetëror dhe të ardhmen evropian të qytetarëve”.

“Ne kemi një mundësi të papërsëritshme që të sigurojmë të ardhme evropiane për shtetin me miratimin e vendimeve të nevojshme në Kuvend. Unë shpresoj se ata të cilët gjatë gjithë historisë ishin kundër integrimit evropian për herë të parë në veprimin e tyre politik do të dëshmojnë se janë për të ardhmen evropiane të vendit tonë”, tha Kovaçevski.

Ai tha se shpreson se pas 17 vjet pritjeje, Maqedonia e Veriut do të nisë bisedimet me BE-në dhe se deri në vitin 2030 do të arrihet deri tek anëtarësimi.

Kryetarja e Komisionit Evropian në takimin me kryeministrin Dimitar Kovaçevski ka prezantuar edhe Kornizën Investuese të Ballkanit Perëndimor.

Paketa e investimeve e planifikuar nga blloku për avancimin e rajonit arrin në 6 miliardë euro – 2.1 miliardë euro grante dhe 4 miliardë euro kredi. Megjithatë, ndihma për rajonin do të kushtëzohet nga shkalla e reformave të zbatuara në secilin prej vendeve veç e veç.

“Plani për zhvillim do të nxisë ekonominë tuaj dhe më e rëndësishme është se do të krijojë vende të reja të punës dhe njëkohësisht do t’iu mbështesë në rrugën tuaj drejt anëtarësimit në BE. Besoj se kjo është një ofertë e vërtetë në kohë të vërtetë. Plani ka potencial që të shkëpusë ekonominë e juaj për një dekadë dhe ky është qëllimi, ndërsa do të luajë një rol të rëndësishëm në rrugën e juaj të integrimit”, tha von der Leyen.

Në rastin e Maqedonisë së Veriut ajo përmendi nevojën për reforma të thella në gjyqësor, luftën kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, reforma në administratën publike e në sfera tjera.

Kryeministri maqedonas, Dimitar Kovaçevski, tha se institucionet do të bëjnë gjitha për të përmbushur kriteret, pasi plani, sipas tij, “paraqet shtytje për nxitje për zhvillimin ekonomik, hapjen e tregut evropian për prodhimet maqedonase, uljen e shpenzimeve për transporti, uljen e doganave, mundësi të reja në sektorin e energjetikës, por edhe në kualifikimin e kuadrit në më shumë sfera”.

Pas Shkupit, von der Leyen do të qëndrojë edhe në Prishtinë, Podgoricë, Beograd dhe Sarajevë./rel

Të ngjashme