Duket se kanë marrë një kthesë të fortë hetimet për zhdukjen e shefit të anti-drogës së Ulqinit Rudolf Elezoviç. Që prej 27 majit ai nuk është bërë më i gjallë kur telefonoi gruan dhe i tha se “po shkonte deri në Shkodër dhe do të kthehej shpejt”.
Hera e fundit kur telefoni i tij është gjurmuar ka qenë në afërsi të kufirit shqiptaro-malazez në zonën midis Pentarit dhe Reçit. Më pas rezultonte i fikur. Hetimet u shtrinë në dy drejtime, ajo e një ngjarjeje aksidentale ose një ngjarje kriminale. Mesa duket paska edhe një pistë të tretë që orët e fundit ka marrë prioritet.
Zyrtari i lartë i policisë mund të jetë arratisur. Një burim i gazetares malazeze “Novosti” tha se 54-vjeçari mund të jetë gjallë dhe është larguar në mënyrë të paligjshme nga vendi për t’i shpëtuar arrestimit. Emri i tij kishte dalë në hetimin e çështjes së njohur si “Kurthi” të sekuestrimit të 2.5 ton kanabis që ishte futur nga Shqipëria me një kamion dhe që deri tani çuar në qeli 24 persona.
Këto hetime po kryesohen nga prokurori special Miro Samardzic i cili ka mundur që disa prej të arrestuarve tu japë statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë dhe të cilët kanë rrëfyer gjithçka.
“Ne nuk e përjashtojmë mundësinë që diçka të ketë ndodhur me Elezoviç. Hetimet janë përqendruar në 2 drejtime. Është interesante të përmendet fakti se një i afërm i tij i ngushtë është punonjës i policisë që ka qenë pjesë e një grupi kriminal që kontrabandonte marijuanë dhe që u arrestua.
Kjo ngre dyshime se Elezoviçi kishte informata “të dorës së parë” në lidhje me atë që një nga të dyshuarit ka thënë gjatë arrestimit se si punonjës të policisë nga Tivari dhe Ulqini i ndihmuan ata në biznesin e drogës” – tha burimi i gazetës “Novosti”.
Sipas disa prej dëshmive të të arrestuarve, Elezoviç dhe kolegë të ishin bashkëpunëtorë në kalimin e sasive të mëdha të drogës në këmbim të ryshfetit. Ata kryenin sekuestrime të vogla për të treguar se ishin të suksesshëm në luftën kundër trafikut të drogës.
I njëti dëshmitar mësohet të ketë thënë se grupi kriminal kishte si pjesë të tij zyrtarë të lartë të policisë. Sipas tij, Elezović merrte një përqindje të çdo kilogrami që “kalonte”, të cilën më pas e ndante me kolegët e tij.
“Novosti” shkruan se edhe 2 dëshmitarë të tjerë e kanë konfirmuar këtë histori. Autoritetet janë duke e verifikuar këtë version, por një zyrtar i policisë që nuk pranoi të identifikohej, i pyetur për këtë version u përgjigj: “Ku ka tym, ka dhe zjarr”.
Rudolf Elezovic ka qenë në të kaluarën drejtor i policisë së Ulqinit dhe tani ishte angazhuar në policinë kufitare malazeze në sektorin kundër trafiqeve. Një tjetër fakt që hetuesit i bën të dyshojnë është edhe mënyra e largimit të tij nga vendi.
Elezoviç ishte nisur drej Shkodrës me skaf dhe jo në rrugë tokësore për të shmangur kalimin në pikën kufitare të Muriqanit. Në polici ishte gruaja e tij që raportoi zhdukjen.
Ministri i Brendshëm i Malit te Zi, Sergej Sekuloviç tha se është informuar për rastin dhe se ka të dhëna operative nga hetimet, por nuk mund të jepte detaje.
“Vlerësoj që në këtë moment është e rëndësishme që personi në fjalë të jetë gjallë, ndërsa tjerat do i shohim. Ka të dhena dhe gjurmë, por do të preferoja të flisja në një moment tjetër” – tha ai.
Shkëlqeu ndaj ish-skuadrës së tij, Hot “MVP” i javës
Vëllaznimi rikthen Myreon Jones
Ushtarët e KFOR-it kryejnë stërvitje të përbashkët evakuimi
Nis protesta e opozitës në Shqipëri, bllokohen disa rrugë në...
Shefi i NATO-s i shqetësuar për sigurinë afatgjate të aleanc...
Monza e shkarkon Alessandro Nestan