Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane ka reaguar pas dhunës së ushtruar në Kuvendin e Maqedonisë, duke thënë se Washingtoni dhe Brukseli duhet që sa më shpejt të kalojnë përtej retorikës së dështuar të ruajtjes së stabilitetit pa ndonjë strategji reale për ta bërë atë realitet, pasi ka ardhur koha për ta bërë demokracinë dhe barazinë ndëretnike një realitet në Maqedoni.
LQSHA nëpërmjet një komunikate ka dënuar fuqishëm dhunimin e Parlamentit të Maqedonisë nga rreth 200 përkrahës të VMRO-DPMNE-së, pasi që Social Demokratët (LSDM) lidhën koalicion me partitë shqiptare dhe zgjodhën, Talat Xhaferin në postin e kryetarit të Parlamentit, duke e bërë kështu atë shqiptarin e parë të zgjedhur në këtë pozitë që kur vendi kishte shpallë pavarësinë nga Jugosllavia më 1991.“Protestuesit që përfaqësonin ish-kryeministrin Nikola Gruevski dhe partinë e tij VMRO hynë dhunshëm në Parlament më 27 prill, duke rrahur keq liderin social-demokrat Zoran Zaev, si dhe liderin politik shqiptar Ziadin Sela, i cili ende është nën trajtim mjekësor për shkak të lëndimeve të rënda që ka pësuar.
Veprimet e VMRO-së demonstrojnë se sa e paqëndrueshme dhe etnikisht e ndarë është Maqedonia pasi që regjimi i Nikola Gruevskit dështoi të krijoi një koalicion shumice pas zgjedhjeve të dhjetorit 2016 dhe mandej kundërshtoi përpjekjet e Zoran Zaevit për të krijuar koalicionin me partitë shqiptare. Pamjet e ngjarjeve të 27 prillit 2017 na rikujtojnë urrejten etnike që sllavo-maqedonasit, nën drejtimin e Gruevskit, kanë ndaj shqiptarëve që kur VMRO-DMPNE kishte ardhë në pushtet gati dy dekada më parë. Washingtoni dhe Brukseli duhet që sa më shpejt të kalojnë përtej retorikës së dështuar të ruajtjes së stabilitetit pa ndonjë strategji reale për ta bërë atë realitet. Koha ka ardhur për ta bërë demokracinë dhe barazinë ndëretnike një realitet në Maqedoni.
Liga Qytetare Shqiptaro-Amerikane do të punojë në këtë drejtim në bashkëpunim të ngushtë më liderët kyç të politikës së jashtme në Kongresin e SHBA-ve nga të dyja taborret kryesore politike, të cilët vazhdimisht kanë demonstruar përkrahjen e tyre për të drejtat dhe barazinë e shqiptarëve, duke përfshirë Kongresistin Ed Royce (R-CA), Kryetar i Komitetit për Punë të Jashtme, Kongresistin Dana Rohrabacher (R-CA), Kryetar i Nënkomitetit për Evrope, Eurazi, dhe Kërcnimet e Reja, Kongresistin Jarrold Nadler (D-NY), Senatorin John McCain (R-AZ), Kryetar i Komitetit për Forcat e Armatosura, si dhe Senatorin Charles Schumer (D-NY), Lider Minoritar i Senatit të SHBA-ve”, thuhet në komunikatë.
Droni i policisë iu heq nga duart shqiptarëve 2.8 milionë pa...
Riker: Mbyllni procesin e dialogut dhe zgjidhni problemet
Përhapja e fenomenit të bullizmit në shkolla
Një i lënduar në aksidentin që ndodhi në pjesën e autostradë...
Policia del me njoftim për aksidentet e ndodhura për shkak t...
Gjykatësi shtyn për herë të tretë dënimin e Trumpit