Google ADS

SHBA-ja sanksionon biznesmenin maqedonas, Jordan Kamçev

17:22 | 19 Korrik 2023
Arbresh

Departamenti amerikan i Thesarit e ka sanksionuar të mërkurën Jordan “Orce” Kamçevin nga Maqedonia e Veriut, me arsyetimin se e ka abuzuar pozitën që e ka pasur.

Sipas Zyrës për Kontrollin e Aseteve të Huaja, brenda Departamentit amerikan të Thesarit, Kamçev “është përfshirë në aktivitete korruptive dhe e ka çuar përpara një agjendë egoiste në kurriz të institucioneve dhe qytetarëve të Maqedonisë së Veriut”.

Në njoftimin e lëshuar nga autoritetet amerikane, përmendet se Kamçev është shpallur fajtor në rastin “Parcelat e Vodnos”, sepse është përfshirë në një skemë për pastrim parash, të lidhur me blerje të paligjshme të tokës për ndërtim.

“Në një rast tjetër, Kamçev është deklaruar fajtor për shpërdorim të detyrës në rastin ‘Perandoria’, në të cilin ai është dyshuar për mashtrim, pastrim parash dhe krime tjera të lidhura me bizneset e tij”.

Në janar të vitit 2022, Kamçev është liruar nga paraburgimi me një garanci bankare prej 11 milionë eurosh.

Ai është bashkëpronar i spitalit privat “Sistina” në Shkup, por edhe i shumë bizneseve tjera.

Sanksionet nënkuptojnë bllokimin e të gjitha pronave të tij në tokën amerikane si dhe Kamçevit i ndalohet të bëjë biznes me subjekte amerikane./rel

 

Shpërndaje në rrjete sociale

Të ngjashme